Live

Trump: Zelensky mund të jetë i gatshëm të heqë dorë nga Krimea

09:38 / 28 Prill 2025

Nga Kosova Live

Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar se homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund të jetë i gatshëm të heqë dorë nga Krimea – territori i aneksuar nga Rusia në vitin 2014 – pavarësisht qëndrimit zyrtar të Kievit.

Deklarata u bë të dielën, gjatë një prononcimi për gazetarët në një aeroport në New Jersey, vetëm një ditë pas takimit të tij me Zelenskyn në Vatikan. I pyetur nëse besonte se presidenti ukrainas ishte i gatshëm të dorëzonte gadishullin e kontestuar, Trump u përgjigj shkurt: “Oh, mendoj se po”, raportoi The Guardian.

Vetë Zelensky, vetëm disa ditë më parë, kishte deklaruar se Ukraina nuk do ta pranonte kurrë njohjen e aneksimit të Krimesë nga SHBA, pas akuzave nga Trump se ai po tregonte “kokëfortësi” në këtë çështje.

Në një deklaratë të premten, Zelensky këmbënguli se Krimea është “pronë e popullit ukrainas” dhe nuk komentoi menjëherë mbi deklaratat e fundit të ish-presidentit amerikan.

Ndërkohë, dy plane të mundshme për paqe, të publikuara nga agjencia Reuters, sugjerojnë se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë opsione që përfshijnë lejimin e Rusisë për të mbajtur territoret e pushtuara, përfshirë edhe Krimenë. Kjo ka ngjallur kritika, mes tyre edhe nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili tha se një propozim i tillë do të ishte “i ngjashëm me kapitullim”.

Pavarësisht komenteve të tij për Krimenë, Trump shprehu një ton më të butë ndaj Zelenskyt, duke theksuar se ai “po punon shumë” dhe “dëshiron të bëjë diçka të mirë për vendin e tij”.

Duke reflektuar mbi takimin e tyre, Trump tha se ishte “i befasuar dhe shumë i zhgënjyer” që Rusia bombardoi Ukrainën menjëherë pas diskutimeve mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit të tij të paqes, Steve Witkoff.

I pyetur se çfarë pret nga presidenti rus, Trump u përgjigj: “Dua që ai të ndalojë së qëlluari. Ulu dhe nënshkruaj marrëveshjen. Besoj se kufijtë e një marrëveshjeje janë gati. Dua që ai ta nënshkruajë dhe të përfundojë gjithçka.”

Shpërndaje në

U Kopjua