Live

Trumpi e urdhëron largimin e ShBA-së nga OBSh-ja

08:57 / 21 Janar 2025

Nga Kosova Live

Shtetet e Bashkuara do të largohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha të hënën presidenti Donald Trump, duke deklaruar se kjo agjenci e ka keqmenaxhuar pandeminë e koronavirusit dhe kriza të tjera shëndetësore ndërkombëtare.

“Shëndeti Botëror [OBSh-ja] nga rropi [financiarisht] ne, secili i rrjep Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk do të ndodhë më” – tha republikani gjatë nënshkrimit të një urdhri ekzekutiv për tërheqjen e vendit të tij nga kjo organizatë, pak pasi u inaugurua në mandatin e dytë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Vendimi i Trumpit nënkupton se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara brenda 12 muajve dhe do t’i ndërpresin të gjitha kontributet financiare për punën e saj. Shtetet e Bashkuara janë bindshëm mbështetësja më e madhe financiare e OBSh-së, duke kontribuuar me rreth 18 për qind të buxhetit të përgjithshëm të saj. Buxheti më i ri dyvjeçar i OBSh-së për periudhën 2024 – 2025 ishte rreth 6,8 miliardë dollarë.

Largimi i ShBA-së me gjasë do të rrezikojë programe të ndryshme të kësaj organizate, sipas disa ekspertëve brenda dhe jashtë OBSh-së, më të rëndësishmet nga to programet me të cilat luftohet tuberkulozi, vrasësi më i madh në botë në mesin e sëmundjeve ngjitëse, por po ashtu edhe virusi HIV/AIDS dhe urgjenca të tjera shëndetësore.

Në urdhrin e Trumpit thuhet se administrata amerikane do t’i ndërpresë bisedimet për traktatin e OBSh-së për pandemi gjatë kohës kur tërheqja nga organizata është në zhvillim e sipër. Personeli qeveritar amerikan që është duke punuar me OBSh-në do të tërhiqet dhe do t’i caktohen detyra të tjera, ndërsa qeveria do të kërkojë partnerë që do t’i marrin përsipër aktivitetet e nevojshme të OBSh-së, thuhet më tej në urdhrin e presidentit të ri amerikan.

Vendimi i Trumpit për tërheqjen e ShBA-së nga OBSh-ja nuk është i papritur. Ai kishte bërë hapa për këtë veprim edhe në vitin 2020, gjatë mandatit të parë si president, duke e akuzuar agjencinë për ndihmë rreth përpjekjeve të Kinës për ta “hutuar botën” rreth prejardhjes së koronavirusit.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...