Presidenti amerikan, Donald Trump kritikoi të mërkurën (23 prill), homologun e tij ukrainas, duke thënë se Volodymyr Zelensky po zgjat “fushën e vrasjes” pasi u tërhoq nga dorëzimi i Krimesë si pjesë e një plani të mundshëm paqeje me Rusinë.
Sipas raportimeve, Trump, gjatë një deklarate për media, theksoi se ai beson se Rusia është “gati” për të arritur një marrëveshje dhe se një marrëveshje me Moskën mund të ishte më e thjeshtë, ndërsa për Ukrainën shtoi se ishte më e vështirë.
“Ai mund të ketë paqe ose mund të luftojë edhe për tre vjet të tjera përpara se të humbasë të gjithë vendin”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Nënkryetari JD Vance përshkroi propozimin e SHBA, i cili përputhet ngushtë me qëllimet e Rusisë. Ai përfshin një “ngrirje” të linjave territoriale në luftën trevjeçare, pranimin e aneksimit rus të Krimesë dhe një premtim se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO, shkruan The New York Times, transmeton Klankosova.tv.
Ishte hera e parë që një zyrtar amerikan kishte paraqitur publikisht një plan paqeje që favorizon Rusinë në terma kaq të zymtë. Vance tha se SHBA do të “largohej” nga përpjekja diplomatike nëse Ukraina dhe Rusia refuzonin të pranonin kushtet.