“Shteti nuk është i shantazhueshëm”, kështu e ka nisur reagimin e saj, Donika Gërvalla, e cila sot u betua si deputete e legjislaturës së nëntë të Kuvendit, ndërkohë që koalicioni ku ajo bën pjesë dështoi ta zgjedh kryetarin e Kuvendit, edhe pas dy tentimesh.
Gërvalla përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se të hënën do ta vazhdojnë “betejën parimore dhe asapk të lehtë për konsolidimin e institucioneve”.
“Shteti nuk është i shantazhueshëm. Sot e tejkaluam bllokadën e parë të opozitës dhe bëmë betimin si deputetë. Vazhdojmë të hënën betejën parimore dhe aspak të lehtë për konsolidimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, shkruan Gërvalla.
Kujtojmë, se pas votimit të dytë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, vendosi ta ndërpresë seancën për 48 orë. Ai njoftoi se seanca do të vazhdojë të hënën, në ora 15:00.