Live

U shtirën si fqinj të mirë, çifti i dyshuar nga Kosova ia mori 120 mijë euro çiftit të moshuar në Gjermani

16:37 / 23 Prill 2025

Nga Kosova Live

Mirëbesimi la një çift të moshuarish nga Lohmar në Gjermani pa 120 mijë euro. Një 36-vjeçar dhe bashkëshortja e tij 25-vjeçe, që dyshohet se vijnë nga Kosova, përvetësuan 120 mijë euro nga çifti i të moshuarve. E mashtrimin më në fund e zbuloi një punëtor banke. Tani çifti duhet të përgjigjet për mashtrim në bashkëpunim në nëntë raste në një gjykatë në distriktin në Siegburg.

Që të dy kanë pranuar krimet, janë penduar dhe i kanë kërkuar falje 86-vjeçarit dhe bashkëshortes së tij 82-vjeçe. Dy çiftet kanë zhvilluar një raport miqësor dhe pothuajse “familjar”, siç kanë shpjeguar të dyja palët. Për këtë arsye, e moshuara ka theksuar në gjykatë se nuk është e interesuar për ndjekje penale ndaj të pandehurve. “Isha e lumtur që e bëra atë sepse dëshiroja të ndihmojë dikë”, tha ajo, raporton gazeta gjermane “General Anzeiger”, transmeton Klankosova.tv.

Deri në fund, ajo nuk ka dashur të besojë se kishte të bënte me mashtrim, por pas pranimit të krimit nga të pandehur, ajo u bind. I pandehuri ka përmendur borxhe të shumta si pasojë e varësisë së tij nga bixhozi si arsye për krimet. Së bashku me bashkëshorten e tij, ai kishte bërë planin për krimet. Nga maji i vitit 2023, ai komunikoi me 82-vjeçarin pothuajse çdo ditë dhe kërkonte ndihmë financiare.

Siç raporton gazeta gjermane “General Anzeiger”, ndër të tjera, i pandehuri ka deklaruar “se i është dashur të udhëtojë në vendin e tij të lindjes, Kosovë, për shkak të mosmarrëveshjeve për trashëgiminë në familjen e tij, se babai i tij ishte i sëmurë dhe po vdiste, se i pandehuri ishte rrëmbyer në Kosovë dhe se babait të tij i ishte kërkuar të paguante dëmshpërblim, se fëmija i të pandehurit ishte shumë i sëmurë dhe se ai vetë kishte qëllim që t’ia merrte jetën vetes”.

“Të moshuarit i besuan tregimet dhe paguan më shumë se 112,000 euro midis 22 majit 2023 dhe 15 shtatorit 2023 – pjesërisht me transferim në llogarinë e të pandehurit dhe pjesërisht në para të gatshme për të pandehurin”, thotë “General Anzeiger”.

Në fund, ata falsifikuan një rrëmbim

Më 17 shtator 2023, 25-vjeçarja kontaktoi viktimën përmes aplikacionit Whatsapp dhe raportoi se burri i saj ishte zhdukur dhe do të lirohej vetëm pasi të paguante një dëmshpërblim. Prandaj, ajo i ka kërkuar ndihmë financiare pranuesit të mesazhit.

“Kur ajo tha se nuk mund të mblidhte më para, i pandehuri e kontaktoi atë më 21 shtator 2023, tha se ishte rrëmbyer dhe i kishte kërkuar sërish para”, thotë më tej kjo gazetë, transmeton Klankosova.tv.

Megjithatë, gazeta raporton se nuk kishte asnjë pagesë të mëtejshme, pasi një punonjës i bankës “Kreissparkasse” në Lohmar kishte njoftuar policinë për shkak të sjelljes së çuditshme të pagesës së çiftit të dëmtuar.

Por edhe pas kësaj, zonja e moshuar ka transferuar 8000 euro të tjera në llogarinë e të pandehurit. Tashmë 86-vjeçari bashkë me avokatin e tij aktivizuan një urdhër përmbarimi prej 120 mijë eurosh, por gjykata ka shprehur dyshime se të moshuarit do t’i shohin sërish paratë e tyre.

Zyra e prokurorit publik i fajësoi të pandehurit për “energji të lartë kriminale”, ndërsa gjykata i akuzoi ata për shfrytëzim të paturpshëm të marrëdhënieve të mira dhe presion ndaj të moshuarve. Për këtë, burri mund të dënohet me dy vite burg ndërsa gruaja me 21 muaj me kusht. 

Shpërndaje në

U Kopjua