Live

Vazhdojnë punimet për zgjerimin e rrugës Kijevë-Dollc, realizohet minimi i tetë në këtë zonë

15:49 / 24 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Punimet për zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Kijevë-Dollc, po vazhdojnë me intensitet të shtuar.

Si pjesë e këtyre punimeve, sot, e hënë, më 24 shkurt 2025, është planifikuar realizimi i minimit të tetë në këtë zonë. Për këtë arsye, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka njoftuar se segmenti Kijevë-Dollc do të jetë i bllokuar për qarkullim nga ora 15:00 deri në përfundimin e pastrimit dhe hapjes së rrugës.

Ky projekt, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit midis Kijevë dhe Dollcit, ka një gjatësi prej 10.9 kilometrash dhe një kosto totale prej më pak se 21 milionë euro. Punimet janë ndarë në tri llote, ndërsa për segmentin tjetër, Dollc-Ramunë, pritet të hapet procesi i tenderimit në muajin maj.

Gjatë periudhës së bllokimit të rrugës, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë parasysh këtë ndërprerje të përkohshme dhe të ndjekin udhëzimet e dhëna për të shmangur vonesat e mundshme.

Shpërndaje në

U Kopjua