Live

Vdekja e të ndaluarit në stacionin në Suharekë, suspendohen rreshteri dhe dy policë

14:02 / 04 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Inspektorati Policor i Kosovës bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për një rreshter dhe dy zyrtarë policorë në Stacionin Policor në Suharekë, pas vdekjes tragjike të një të ndaluari nën dyshimet për dhunë në familje.

Kjo kërkesë për suspendim vjen pasi viktima, sipas të dhënave dhe hetimeve preliminare, dyshohet se është vetë-ngufatur brenda dhomës së ndalimit në stacion policor, transmeton Klankosova.tv

“Bazuar në pozitat dhe përgjegjësitë konkrete të zyrtarëve në fjalë, dhe nga veprimet e ndërmarra hetimore, në këtë fazë ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimet apo mosveprimet e tyre nga zyrtarët policorë mund të ketë pasur neglizhencë të mundshme në përmbushjen e detyrave zyrtare, veçanërisht në aspektin e garantimit të sigurisë së personit të ndaluar.

Suspendimi i përkohshëm paraqet masë të përkohshme mbrojtëse, në funksion të dhe interes të garantimit të integritetit të hetimit që po zhvillohet lidhur me këtë rast, si dhe të shmangies së çdo ndikimi të mundshëm në procesin hetimor.

IPK në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast që po trajtohet në këtë fazë si hetim i vdekjes.” – njoftoi IPK.

Shpërndaje në

U Kopjua