Vëllezërit kontrovers, Andrew dhe Tristan Tate, janë kthyer në Rumani nga Shtetet e Bashkuara, teksa po akuzohen nga autoritetet rumune për trafikim me qenie njerëzore dhe krime të tjera.
“Ne kemi ardhur këtu për të dëshmuar pafajësinë tonë sepse e meritojmë që ta kemi ditën tonë në gjykatë”, tha Andrew Tate para gazetarëve më 22 mars jashtë shtëpisë së tij në Voluntari, afër Bukureshtit.
Vëllezërit, që kanë pasaporta britanike dhe amerikane, përballen me disa akuza në Rumani, përfshirë trafikimin me qenie njerëzore dhe krijimin e një grupit të organizuar kriminal. Andrew Tate akuzohet edhe për përdhunim.
Sipas prokurorëve, ata kishin rekrutuar disa gra dhe i kishin detyruar që të krijonin përmbajtje pornografike, nga e cila përmbajtje ata kishin fituar shuma të mëdha parash. Dy vëllezërit i mohojnë akuzat.
Edhe pse janë nën “kontrollin gjyqësor”, që nënkupton se rregullisht duhet të raportojnë para autoriteteve, Rumania hoqi ndalesën e udhëtimit në shkurt, që deri atëherë ua kishte pamundësuar largimin nga shteti. Më 27 shkurt, vëllezërit udhëtuan për në Florida.
Tani ata janë kthyer në Rumani dhe që të dy janë ftuar që të paraqiten në stacionin policor në Voluntari më 24 mars, një obligim që ata duhet ta kryejnë, sipas procedurave të kontrollit gjyqësor.
“Na janë kthyer pasaportat. Ne jetojmë në Rumani, ne e duam Rumaninë. Ne kurrë nuk do të largohemi nga Rumania. Ne kemi një shtëpi në Rumani, kemi fëmijë rumunë”, tha Tate, sipas Ştirileprotv.