Live

Vendimi i Supremes për arkat fiskale, IKD reagon ndaj sulmeve të Qeverisë në detyrë ndaj gjyqësorit

13:49 / 16 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e konsideron krejtësisht të papranueshëm reagimin e Qeverisë në detyrë kundër aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Supreme për çështjen e arkave fiskale.

Sipas IKD-së, kundërshtimi publik i një aktgjykimi të instancës më të lartë të gjykatave të rregullta nga pushteti ekzekutiv, jo vetëm që përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, “por është shkelje flagrante e parimit të ndarjes së pushteteve, që është themeli i rendit kushtetues në një shtet demokratik, duke cenuar po ashtu integritetin e gjyqësorit dhe duke nxitur mosbesim institucional”.

Ky institut thekson në reagim se e konsideron tejet të rrezikshme qasjen e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, “duke etiketuar gjyqtarët e Gjykatës Supreme me emër dhe mbiemër. Kjo qasje përveç që cenon integritetin e sistemit gjyqësor, përbën rrezik edhe për sigurinë individuale të gjyqtarëve të përmendur”.

“Reagimet e Qeverisë në detyrë dhe anëtarëve të tjerë të saj, përbëjnë një presion të panevojshëm ndaj gjyqësorit, që cenon pavarësinë institucionale dhe përpjekjet për ndërtimin e një drejtësie të paanshme. IKD rikujton se besimi në sistemin gjyqësor ndërtohet me respektimin e vendimeve të tij, jo me delegjitimimin publik nga zyrtarët politikë”.

“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Supreme krijon një precedent të rëndësishëm për të ndalur ndërhyrjet politike në vendimmarrjen administrative dhe për të vendosur një standard të ri në respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve në praktikë”.

IKD vlerëson se Supremja me të drejtë ka vendosur se nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.

“ Kësisoj, udhëzimi administrativ është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar, pasi është ndërmarrë nga një zyrtar pa mandat të vlefshëm dhe në papajtueshmëri të qartë funksionale”

Shpërndaje në

U Kopjua