Live

Veriu kthen qortimin e aleatëve të Qeveria e Kosovës

09:19 / 08 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Me një operacion policor, autoritetet kosovare mbyllën në veri të Kosovës nëntë objekte Postës së Serbisë, duke nxitur kështu reagime të autoriteteve ndërkombëtare. Ata thanë se Kosova nuk u koordinua me aleatët për këtë veprim.

Përpos kësaj reagime pati edhe për çështjen e Urës së Ibrit,  për të cilën, Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, po insiston se duhet të hapet. Por, për këtë nuk po gjen mbështetje te aleatët ndërkombëtarë, të cilët qartazi thanë se nuk e përkrahin ndryshimin e statusit të kësaj ure, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Shtetet e Bashkuara  paralajmëruan se me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara, Kosova po vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni i ka ndihmuar që të krijojë.

Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, ka thënë se veprimet e fundit të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, rrezikojnë mundësitë të cilat i ka krijuar vendi me ndihmën e SHBA-së.

Në një konferencë me gazetarë, Miller u pyet nëse do të ketë veprime ndaj kryeministrit Albin Kurti për, siç u tha “shkelje të vijave të kuqe”.

“Nuk do të spekuloj për veprime në të ardhmen. Mund të them se jemi të shqetësuar me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ato i rrezikojnë mundësitë të cilat e ndihmuam Kosovën që t’i krijojë”, tha ndër të tjera Miller.

Ai tha se SHBA-ja ka qenë partner i fuqishëm i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë më 2008, ndërsa tha se e inkurajojnë qeverinë e Kosovës që të punojë me partnerët e saj të afërt.

“Nëse e shikoni rrëfimin që nga pavarësia e Kosovës, ShBA-ja e ka mbështetur fuqishëm integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e multietnike. Por, për ta realizuar këtë vizion, që është vizion të cilin edhe ne e ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderët e vazhdueshëm politikë të Kosovës në masa që forcojnë paqen dhe prosperitetin brenda ndërsa avancojmë Kosovën në këtë rrugë euro-atlantike në të cilën jeni pajtuar”.

“Do ta inkurajonim qeverinë e Kosovës të kthehet në angazhim të afërt dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe me partnerët tjerë të afërt ndërkombëtarë të Kosovës dhe e kemi bërë atë të qartë, siç po e bëj tani publikisht, ia kemi bërë të qartë qeverisë edhe privatisht”, potencoi zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në mënyrë indirekte ka lënë të kuptohet se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, të cilat BE-ja i konsideron të njëanshme, mund të kenë ndikim negativ në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura tash e një vit.

“Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës vitin e kaluar është pasqyrë e hapave që çuan në përshkallëzim. Tani shohim më shumë hapa të njëanshëm dhe më shumë veprime të pakoordinuara. Ky nuk është në të vërtetë de-përshkallëzimi. Kjo çon në përshkallëzim të mëtejshëm. Këtë duhet ta kuptojnë qartë ata që marrin vendime në Prishtinë”, ka thënë Stano dje në një konferencë për media.

E misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara

Reagimi i KFOR-it erdhi kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë pjesë, të cilët insistojnë që ura mbi Ibër do të hapet.

Ndërkaq, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha javën e kaluar se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

Ndërkohë, Komuna e Mitrovicës së Veriut sot në hapësirat e kuvendit komunal, do të organizojë takime dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale rreth temës “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillimi komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka ftuar qytetarët e komunitetit serb, që përbëjnë shumicën e popullsisë në pjesën veriore të Kosovës, të marrin pjesë në këtë ngjarje, ku “do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës” mbi lumin Ibër, ka deklaruar se “urat na bashkojnë” dhe rrjedhimisht, ura kryesore në Mitrovicë duhet të jetë simbol i normalizimit.

“Për shumë kohë ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka shkruar kryeministri Kurti në “Facebook” më 7 korrik, pas protestës së pjesëtarëve të komunitetit serb në kundërshtim të hapjes së urës mbi lumin Ibër.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, teksa qëndroi në Mitrovicë,  i pyetur si i komenton deklaratat e QUINT-it dhe KFOR-it se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në Bruksel, tha se kjo çështje është punë e kryer më 2016.

“Inspektimi është në dy faza, jemi në proces, po veprojmë sipas planit të cilin ne po e ndajmë me bashkëpunëtorët tanë dhe s’po shoh asgjë të jashtëzakonshme. Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Nuk është çështja e dialogut fare. Është çështje e të drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”, ka thënë Sveçla para mediave.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Shpërndaje në

U Kopjua