Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së i është drejtuar me një letër Komisionerit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty.
Në letër thuhet se po i drejtohen “jo për të kundërshtuar drejtësinë, por për të mbrojtur atë”.
Po ashtu thuhet se Dhomat e Specializuara nuk i ngjajnë më një institucioni gjyqësor të ndërtuar mbi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut por “janë shndërruar në një strukturë të mbyllur hermetikisht, që funksionon në izolim të plotë nga sistemi ligjor i Kosovës, institucionet e saj demokratike dhe mekanizmat e mbikëqyrjes kushtetuese”, percjell Periskopi.
Ata kanë kërkuar hetim ndërkombëtar për “shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe abuzimet procedurale brenda Dhomave të Specializuara për Kosovën”.
Letra e plotë:
I nderuar Komisioner Michael O’Flaherty,
Po ju drejtohemi si Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), jo për të kundërshtuar drejtësinë, por për të mbrojtur atë.
Ne kemi qenë ndër mbështetësit më të fortë të drejtësisë ndërkombëtare dhe të llogaridhënies. Besojmë, ashtu si shumë në shoqërinë tonë, se e vërteta dhe drejtësia jo vetëm që mund të përballojnë çdo shqyrtim, por duhet të ndiqen përmes procedurave juridike të bazuara në parime dhe paanshmëri. Ne e mirëpritëm idenë e një drejtësie që do të funksiononte përtej politikës së pushtetit, me integritetin për të dalluar mes hakmarrjes dhe ligjit. Këtë e ndjemë si detyrë ndaj bashkëqytetarëve tanë, dhe mbi të gjitha, ndaj kujtimit të atyre që dhanë jetën për të mbrojtur të drejtën për të jetuar të lirë nga tirania.
Por ajo që filloi si një instrument ligjor drejtësie është shndërruar në diçka krejt tjetër.
Sot, Dhomat e Specializuara nuk i ngjajnë më një institucioni gjyqësor të ndërtuar mbi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut. Ato janë shndërruar në një strukturë të mbyllur hermetikisht, që funksionon në izolim të plotë nga sistemi ligjor i Kosovës, institucionet e saj demokratike dhe mekanizmat e mbikëqyrjes kushtetuese. Procedurat e tyre janë të njollosura nga paraburgimet e tejzgjatura, redaktimet e tepruara të dokumenteve, vonesat në dorëzimin e provave dhe kufizimet në ndihmë juridike. Dhomat e specializuara refuzojnë të marrin parasysh edhe Avokatin e Popullit të Kosovës, institucionin që ekziston pikërisht për të mbrojtur të drejtat themelore dhe i cili ka të drejtë të plotë, si në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës, ashtu edhe sipas të drejtës ndërkombëtare, të hetojë shkeljet e mundshme. Por qëndrimi i gjykatës është i qartë, ato nuk japin as përgjigje, as shqyrtim, as llogaridhënie.
Kjo nuk është thjesht një çështje ligjore. Kjo është një çështje e të drejtave të njeriut.
Ata që i nënshtrohen procesit nuk trajtohen më si qytetarë të pafajshëm deri në provën e fajësisë. Ata mbahen, për vite me radhë, në kushte që shkatrrojnë dinjitetin, familjet dhe të drejtat e tyre. Ata gjykohen jo vetëm përpara një trupi gjykues, por në një sistem ku prokuroria gëzon fuqi të pakufizuara, dhe ku të drejtat e mbrojtjes jo vetëm dobësohen, por pengohen aktivisht.
Për këto arsye, jemi të detyruar të bëjmë një krahasim të dhimbshëm, por të nevojshëm, tashmë ky institucion po fillon të ngjajë me një inkuizicion e jo një gjykatë drejtësie. I mbuluar me gjuhë ligjore, ai vepron pa kontroll efektiv, pa pjesëmarrje vendore dhe pa mbikëqyrjen që e kishte dalluar një sistem drejtësie nga një mekanizëm shtypës. Gjykon, ndjek penalisht dhe mban në paraburgim, të gjitha brenda një strukture të mbyllur që refuzon të njohë instrumentet dhe institucionet ligjore të Republikës së Kosovës. Kjo nuk është vetëm një dështim procedural por është një tradhti ndaj premtimit të drejtësisë.
Nuk jemi të vetmit që shprehim këtë shqetësim. Juristë të respektuar, organizata të shoqërisë civile dhe madje edhe ish zyrtarë brenda vetë Dhomave të Specializuara kanë paralajmëruar se drejtimi aktual rrezikon jo vetëm të delegjitimojë institucionin, por edhe të shkaktojë dëme të parikoperueshme ndaj besimit publik në drejtësinë ndërkombëtare. Kur drejtësia ndjehet vetëm nga të akuzuarit, dhe kurrë nga shoqëria në emër të së cilës ajo ushtrohet, atëherë nuk flasim më për drejtësi. Flasim për shtrëngim.
Për këtë arsye, dhe me respekt të plotë për mandatin tuaj dhe për parimet e Këshillit të Evropës, ju drejtojmë këtë kërkesë:
Të fillohet menjëherë një hetim ndërkombëtar i pavarur për shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe abuzimet procedurale brenda Dhomave të Specializuara për Kosovën.
Ky hetim duhet të udhëhiqet nga ekspertë të pavarur të së drejtës dhe të të drejtave të njeriut, jashtë strukturës aktuale institucionale të gjykatës. Duhet t’i jepet mandati për të vlerësuar përputhshmërinë e gjykatës me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, trajtimin e të paraburgosurve, kufizimet procedurale të të drejtave të mbrojtjes, përjashtimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe privilegjet joproporcionale të zyrtarëve të saj.
Drejtësia nuk mund të ekzistojë në një vakum. Asnjë institucion, sado fisnik të jetë në origjinë, nuk qëndron mbi shqyrtimin dhe llogaridhënien. Asnjë gjykatë evropiane nuk duhet të lejohet të funksionojë pa përputhshmëri të plotë me vlerat evropiane që ajo pretendon të përfaqësojë.
Ne kemi luftuar për të përfunduar tiraninë, jo për të parë se si ajo ringjallet në formën e institucioneve ligjore të paprekshme.
I nderuar Komisioner, ju bëjmë thirrje të veproni.
Me respektin më të thellë,
Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL, SHIL,SHFD-UÇK)