Victoria Beckham ka emëruar Sybille Darricarrère Lunel si shefen e re ekzekutive të kompanisë së saj, me mandat që nis më 1 korrik 2025.
Ajo do të pasojë Ralph Toledano, i cili më parë ka mbajtur këtë pozitë, raporton WWD në një raport ekskluziv.
Darricarrère Lunel vjen nga Christian Dior Couture, ku ka qenë drejtuese e njësisë së biznesit për produktet e lëkurës, duke mbikëqyrur gamën globale të kësaj kategorie. Ajo ka mbajtur gjithashtu pozita drejtuese në Galeries Lafayette dhe The Kooples.
E entuziazmuar për këtë bashkëpunim, Victoria Beckham, themeluese dhe drejtoreshë krijuese e markës, tha:
“Jam e emocionuar që Sybille po i bashkohet kompanisë si CEO. Mezi pres të punoj krah një gruaje të fortë, krijuese dhe inteligjente, me një mentalitet sipërmarrës dhe energji për ta çuar markën tonë në një nivel tjetër.”
Ky emërim vjen në një moment kyç për Victoria Beckham, e cila vazhdon të forcojë biznesin e saj. Gjatë viteve të fundit, ajo ka përmirësuar operacionet financiare, ka zgjeruar kategoritë e produkteve dhe ka rafinuar strategjinë e çmimeve për të ruajtur balancën mes luksit dhe qasjes komerciale më të gjerë.
Nga ana e saj, Sybille Darricarrère Lunel tha se e ka admiruar gjithmonë stilin e markës Victoria Beckham, duke e cilësuar atë si “elegant, modern dhe fuqizues për gratë.”
David Belhassen, themelues dhe CEO i NEO Investment Partners, kompania që zotëron shumicën e aksioneve në biznesin e Victoria Beckham, theksoi se ky është momenti i duhur për një kapitull të ri:
“Me Sybille dhe energjinë e saj natyrore sipërmarrëse, momenti është tani. Ajo është partnerja e duhur për të shkruar kapitullin e ardhshëm të Victoria Beckham – një kapitull ambicie, kreativiteti dhe rritjeje shumë fitimprurëse.”