Një përplasje e dhunshme mes të rinjve në mesditën e së shtunës ka tronditur qytetin e Laçit të Shqipërisë, ku si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit janë plagosur pesë persona. Policia ka reaguar me shpejtësi, duke identifikuar dhe arrestuar dy autorët e dyshuar të ngjarjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:27, ku sipas hetimeve paraprake, konflikti ka nisur për një aksident rrugor me dëme shumë të vogla materiale, por që degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit.
“Nga tërësia e veprime hetimore të kryera deri tani, rezulton se konflikti mes te rinjve ka nisur për motive te dobëta (aksident rrugor me dëme shumë te vogla materiale) dhe me pas ka vijuar mes palëve duke përdorur armët e zjarrit.
“Nga këqyrja kamerave te sigurisë dhe në sajë të veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, është bërë e mundur sqarimi i dinamikes së ngjarjes, ku është dokumentuar se janë përdorur dy arme zjarri (pistoleta), një arme e ftohtë (përforcues grushti), si dhe dy automjete, te cilat janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Të arrestuarit janë shtetasit D. Gj., 27 vjeçar– i cili mbeti i plagosur gjatë përplasjes dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën – si dhe K. N., 28 vjeçar. Të dy janë vënë në pranga në flagrancë dhe akuzohen për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Policia bën me dije se materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë për veprime të mëtejshme procedurale.