Live

Zelensky apelon për “qëndrueshmëri”, teksa liderët takohen për “koalicionin e vullnetit”

12:35 / 27 Mars 2025

Nga Kosova Live

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje partnerëve të Ukrainës të jenë “të paktën, po aq të qëndrueshëm sa jemi ne” përballë kushteve të vendosura nga Rusia për zbatimin e marrëveshjes për armëpushim në Detin e Zi.

Zelensky, i cili foli me gazetarët në Paris para samitit të rëndësishëm të mbrojtjes për formimin e një “koalicioni të vullnetit”, që nis më 27 mars, tha se ai ishte pajtuar që të vazhdonte bisedimet për armëpushim në Arabinë Saudite për të siguruar rinisjen e ndihmës amerikane dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës.

Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet prodhuan një marrëveshje “për zhvillimin e masave për zbatimin” e zotimeve të fundit për të ndalur sulmet ndaj ndërtesave të energjisë dhe një armëpushim në Detin e Zi.

Por, Rusia po kërkon që të përmbushen një sërë kushtesh, përfshirë lehtësimin e sanksioneve, në këmbim të respektimit të marrëveshjes.

“Ne e kemi shfaqur qëndrueshmërinë tonë. Tani është e rëndësishme që edhe partnerët tanë të jenë po aq të qëndrueshëm sa ne, edhe pse ata kanë më shumë kapacitete”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas i bëri këto deklarata teksa u takua me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në Paris para nisjes së samitit të mbrojtjes për “koalicionin e vullnetit”.

Në mes të një stuhie diplomatike, të udhëhequr nga SHBA-ja për dhënien fund të luftës në Ukrainë, udhëheqësit evropianë po bëjnë përpjekje që të sigurojnë një ulëse në tavolinën e negociatave, por deri më tani janë mbajtur jashtë rundeve të bisedimeve që kanë përfshirë Moskën, Kievin dhe Uashingtonin.

Macroni tha se krijimi i një force evropiane të sigurisë do të diskutohet gjatë samitit të 27 marsit, por ai theksoi se ajo nuk do të ishte në vijën e frontit dhe nuk do të kishte për detyrë monitorimin apo zbatimin e një armëpushimi – një detyrë që ai sugjeroi se bie mbi paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara.

Ai tha se kjo forcë do të dislokohej brenda Ukrainës për të parandaluar Rusinë dhe për të ofruar trajnime e mbështetje për forcat ukrainase.

Disa orë para se takimi është planifikuar të nisë, Macron njoftoi se Franca do t’i japë Ukrainës një paketë të re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 2 miliardë eurosh, që do të përfshijë raketa kundërtanke, sisteme të mbrojtjes ajrore, avionë luftarakë Mirage, autoblinda, municion dhe ndihmë tjetër.

“Ne duhet të vazhdojmë që të ofrojmë mbështetje të menjëhershme për Ukrainën. Është e rëndësishme që të vazhdohet rezistenca”, tha Macron pasi njoftoi për paketën e ri të ndihmës.

Nisma për krijimin e koalicionit fillimisht u prezantua nga kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë samitit të 2 marsit të mbajtur në Londër, kur udhëheqësit evropianë dhe botërorë diskutuan për mbështetjen për Kievin, dhe takimi i ri do të mbledhë rreth vetes edhe Gjermaninë, Poloninë, Britaninë dhe anëtarë të tjerë të koalicionit që janë zotuar për mbështetjen e Ukrainës.

Mbi 30 shtete që janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në një forcë paqeruajtëse të koalicionit.

Macron e ka akuzuar Rusinë se po shfaq “dëshirë për luftë” dhe ka insistuar se Moska duhet të pranojë propozimin amerikan për armëpushim 30-ditor “pa asnjë parakusht”.

Ndërkaq, duke folur për gazetarët gjatë një vizite në Xhamajka, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni do të vlerësojë kushtet e Moskës.

“Ne do t’i vlerësojmë ato. Disa nga kushtet përfshijnë sanksionet që nuk janë tonat, ato janë të BE-së”, tha Rubio më 26 mars, raporon REL.

Megjithatë, Macron tha se Parisi nuk do të heqë sanksionet sepse “është shumë herët për një gjë të tillë”.

Këto deklarata u bënë në ditën e njëjtë që BE-ja përmes një njoftimi tha se tërheqja “pa kushte” e forcave ruse nga e mbarë Ukraina mbetet një nga kushtet kryesore për lehtësimin e sanksioneve që Brukseli ka vendosur ndaj Moskës.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, gjatë një interviste për Fox News më 26 mars deklaroi se beson që Trumpi “nuk do të hezitojë t’i ashpërojë sanksionet nëse kjo gjë i jep avantazh në negociata”.

Ai tha se lehtësimi apo ashpërsimi i sanksioneve do të varen nga veprimet që do të ndërmarrë udhëheqja ruse.

Shpërndaje në

U Kopjua