Live

Zelensky telefonohet nga Macron teksa po u tregonte gazetarëve për bisedën me Trumpin

10:48 / 20 Mars 2025

Nga Kosova Live

Gjatë një konference online të mërkurën në mbrëmje, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se nuk kishte ndjerë “asnjë presion” nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duke shtuar se “ishte një bisedë e frytshme, ndoshta më e frytshmja që kemi pasur, atmosfera ishte pozitive”.

“Kemi marrë sinjale nga Shtetet e Bashkuara se po diskutojmë për një armëpushim që përfshin objektet energjetike, pra të mos sulmohet infrastruktura energjetike, dhe po flasim gjithashtu për objektet e infrastrukturës civile”, tha ai.

Zelensky tha se ekipi i tij do ta hartojë një listë të objekteve që ata mendojnë se mund të përfshihen dhe do t’ia paraqesin amerikanëve në negociatat e ardhshme.

Lideri ukrainas tha gjithashtu se ai dhe Trump diskutuan propozimin amerikan për ta marrë në pronësi centralin bërthamor Zaporizhzhia, i cili ndodhet në jug të Ukrainës dhe është i pushtuar nga Rusia.
“Ne folëm vetëm për një central, atë që është nën okupimin rus”, tha ai.

Në një shenjë që liderët europianë po ndjekin nga afër diskutimet mes Trumpit, Putinit dhe Zelenskyt, presidenti ukrainas iu përgjigj një telefonate ndërsa po fliste me gazetarët të mërkurën në mbrëmje, raporton The Guardian.

Duke iu rikthyer konferencës, ai tha:
“Ishte Presidenti Macron, flasim mesatarisht një herë në ditë, po ndihmon shumë. Do ta telefonoj më vonë”.

Shpërndaje në

U Kopjua