Live

Zgjatet periudha e aplikimit për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale

14:32 / 14 Prill 2025

Nga Kosova Live

Në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, qeveria ka zgjatur periudhën e aplikimit në Komisionin Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të kësaj kategorie, me synimin që asnjë e mbijetuar dhe i mbijetuar të mos mbetet pa mundësinë për të kërkuar njohjen dhe mbështetjen që meriton.

Këtë e bëri të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook, ku përmendi edhe Ramadan Nishorin, i cili theu heshtjen sot dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Në këtë ditë simbolike, në përputhje me ligjin, po zgjasim periudhën e aplikimit në Komisionin Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, me synimin që asnjë e mbijetuar dhe i mbijetuar të mos mbetet pa mundësinë për të kërkuar njohjen dhe mbështetjen që meriton. Heshtja dhe stigma që ende rëndon mbi këtë krim lufte vazhdon të pengojë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi e mbështetje. Është detyra jonë si shoqëri që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale, me solidaritet dhe eupati”, shkruan Kurti, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai thotë se 14 prilli është rikujtim që nuk do të lejojë kurrë që dhembja, vuajtja dhe sakrifica e të mbijetuarave e të mbijetuarve të harrohet apo të shpërfillet.

“Duke u ballafaquar me të kaluarën, duke kërkuar drejtësi dhe me solidaritet, ne mund të ndërtojmë një shoqëri paqësore e të ardhme të drejtë për të gjithë”, shkruan më tej Kurti.

Në mbledhjen elektronike të qeverisë e cila është mbajtur sot, bëhet me dije se afati për të parashtruar kërkesën për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës zgjatet deri me 15 maj 2027, ndërkaq mandati i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës është deri më 15 maj 2028.

Shpërndaje në

U Kopjua