Live

Zgjidhet kryetari i ri i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë

16:23 / 03 Mars 2025

Nga Kosova Live

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND), e njohur edhe si Gjykata Botërore, tha të hënën se gjykatësi Yuji Iwasawa është zgjedhur kryetar i ri i saj për ta përfunduar mandatin e ish-kryetarit Nawaf Salam, i cili përfundon më 5 shkurt 2027.

Salam dha dorëheqje në janar për t’u bërë kryeministër i Libanit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Iwasawa është japonez dhe ka qenë anëtarë i GjND-së që nga viti 2018 para se të punonte si profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Tokios dhe si kryetar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kombet e Bashkuara.

GjND-ja është gjykata më e lartë e OKB-së dhe e ka selinë në Hagë. Ajo është themeluar në vitin 1945 për të zgjidhur mosmarrëveshje mes shteteve.

Në korrikun e vitit 2010, kjo gjykatë kishte dhënë një opinion këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008.

Kryetari i atëhershëm i GjND-së, gjatë fjalës së tij, mes tjerash kishte thënë: “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.

Shpërndaje në

U Kopjua