Dy herë në 2023-ën dhe një herë në 2024-ën. Tri zjarre të cilat shpërthyen në dy vitet e fundit në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore e lanë Kosovën pa Laborator të Toksikologjisë.
Ky laborator në të cilin kryhen analizat për sasinë e barnave, alkoolit dhe substancave narkotike në gjakun e njeriut, në rastet e vdekjeve dhe helmimeve të dyshimta, është jashtë funksionit tash e disa muaj, raporton Kiks Kosova.
Kjo pasi që objekti i IML-së, ku gjendet ky laborator, iu nënshtrua një renovimi, i cili buxhetit të shtetit i kushtoi gati 1 milion euro.
Nga IML njoftuan që renovimi do të zgjasë deri në shtator dhe deri atëherë të gjitha analizat për toksikologji do të dërgohen jashtë vendit.
Për analizë toksikologjike, jashtë vendit, u dërguan edhe mostrat e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit nga Lipjani i cili vdiq në rrethana të dyshimta, në duart e zyrtarëve policorë.
Avokati, Florim Shefqeti tha për Kiks Kosovën se mosfunksionimi i këtij laboratori po shkakton vonesa dhe zvarritje të proceseve gjyqësore, si dhe kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Sipas tij, fajtor për këtë situatë është Qeveria e Kosovës, saktësisht Ministria e Drejtësisë.
Shefqeti pohon se analizat toksikologjike nuk janë analizat ose ekspertizat e vetme të cilat nuk kryhen në Kosovë, fakt i cili po shkakton telashe në sistemin e drejtësisë.
Kiks Kosova ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të kuptuar se sa është shuma që është shpenzuar nga buxheti i shtetit për këto analiza që nga mosfunksionimi i Laboratorit të Toksikologjisë, por deri në momentin e transmetimit të këtij emisioni, asnjëri nga dy institucionet nuk kanë kthyer përgjigje.