Një zjarr i madh shpërtheu mbrëmjen e së enjtes rreth orës 20:00 në një ndërtesë banimi në lagjen “Emshir” të Prishtinës, duke shkaktuar panik dhe mobilizim të madh të shërbimeve emergjente.
Flakët, që fillimisht përfshinë një banesë, shpejt u përhapën edhe në një apartament tjetër në ndërtesën ngjitur, duke bërë që situata të dalë jashtë kontrollit për disa orë, njofton Klankosova.tv.
Gazetarja Sala Gashi, që raportoi nga vendi i ngjarjes, tha se zjarri nuk po mund të kontrollohej për një kohë të gjatë dhe se një pjesë lidhëse mes dy objekteve ishte shembur si pasojë e flakëve.
Në vendin e ngjarjes dolën ekipe të shumta të zjarrfikësve, policisë dhe KEDS-it.
Për të menaxhuar situatën, u sollën edhe më shumë cisterna me ujë.
Si pasojë e incidentit, në të dy ndërtesat u ndërpre furnizimi me energji elektrike.
Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për ndonjë të lënduar.
Shkaqet e zjarrit ende mbeten të panjohura, ndërsa policia pritet të dalë me informacione të tjera pasi të përfundojnë hetimet.