Live

Zyrtari amerikan në Prishtinë: Jam këtu për të treguar mbështetjen e SHBA-së, po punojmë për një Kosovë më të fortë dhe transparente

11:26 / 21 Mars 2024

Nga Kosova Live

Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Todd D. Robinson në një konferencë për media pas takimit që kishte me presidenten e vendit, Vjosa Osmani tha se vizita e tij në Kosovë tregon për mbështetjen për punën që Kosova po bën për të siguruar institucione jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit.

Robinson tha se SHBA mbështet këto përpjekje dhe  punon për një Kosovë më të mirë dhe më të fortë në të ardhmen.

“Fakti që jam këtu  është për të treguar mbështetjen tonë për atë që po bëni ju, Policia e Kosovës që po bën për qytetarët e rëndomtë kosovarë. Mendoj që është shumë e rëndësishme dhe porosia ime për ta dhe ju të gjithë  është që SHBA-të janë këtu për të mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar institucione jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit, drejtësisë. Po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por edhe për Kosovë më të fortë, më transparente në të ardhmen. Nuk është hera e parë që jam në Ballkan, kam punuar edhe në rajon më herët dhe më duket sikur jam kthyer në shtëpi. Mirëpres mundësinë për të parë edhe më shumë nga vendi juaj, për të vizituar edhe më shumë, për t’u takuar edhe me kolegët tuaj në qeveri dhe sektorin e gjyqësorit”, tha Robinson.

Ndërkaq presidentja Osmani takimin me zyrtarin amerikan e cilësoi si shumë pozitiv dhe përmbajtësor. Osmani tha se Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona, e kanë pikërisht vulën e Byrosë që e udhëheqë ndihmëssekretari  Robinson duke përfshirë edhe vet themelimin e Policisë së Kosovës.

Presidentja e vendit tha se në takim informoi zyrtarin amerikan për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në Interpol, proces ky që siç tha Osmani, do të jetë i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së.

“Kishim një takim shumë përmbajtjesor dhe pozitiv. Siç potencova në takim, Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen që Byroja Ndërkombëtare për Narkotik dhe Sundim të Ligjit i ka ofruar Kosovës ndër vite. Mbështetja e SHBA për Kosovën ka qenë prezente në çdo sektor  strategjik dhe në çdo  haptë proces të shtetndërtimit tonë.

Ndihmës sekretari ka qenë ndër njerëzit që ka dhënë kontribut përgjatë viteve. Përderisa vinim këtu më tregoi se ka punuar edhe me sekretaren Albright dhe kjo është dëshmi se sa shumë njerëz ka në administratën amerikane që kanë dhënë kontribut për dekada të tërë që Kosova të jetë këtu ku është, e ndër ta është edhe ambasadori Hovenier. Janë të gjitha dëshmi e fuqishëm që bashkëpunimit me partner të rëndësishëm siç është byroja dhe dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe domosdoshmëritë së bashkëpunimit me SHBA.

Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona, e kanë pikërisht vulën e Byrosë që e udhëheqë ndihmëssekretari  Robinson duke përfshirë edhe vet themelimin e Policisë së Kosovës. Falë mbështetjes së INL-së përgjatë viteve janë bërë reforma të konsiderueshme në insitucionet tona. Në takim e informova për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, anëtarësim ky që do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së. Të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol janë kriminelët. është dëshirë dhe vullnet i Kosovës që ata ti luftojmë pa kompromis.”, tha Osmani. 

Shpërndaje në

U Kopjua