Live

Zyrtari i lartë amerikan sot viziton Kosovën

08:59 / 12 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan do të vizitojë sot Kosovën.

Ai do të pritet në takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mësuar KosovaPress nga burime në ekzekutiv.

Diplomati amerikan ditë më parë ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të vizitojë Ballkanin Perëndimor, ku përveç Kosovës, kishte paralajmëruar vizitë në Bosnjë dhe Herecegovinë dhe Serbi.

“Pres me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve në rajon”, ka shkruar ai në platformën X më 9 korrik, transmeton Klankosova.tv.

Zyrtari i lartë amerikan gjatë qëndrimit në Kosovë pritet të takohet edhe me përfaqësues dhe liderë nga partitë parlamentare.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku të enjten, konfirmoi takimin, mirëpo shtoi që për shkak të një udhëtimi të tij, LDK-në do ta përfaqësojë në takim nënkryetarja, Hykmete Bajrami.

Takim me diplomatin amerikan ditë më parë ka pasur edhe presidentja, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA.

Shpërndaje në

U Kopjua