Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë ua ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak ndaj ndaj dhjetë të dyshuarve për bixhoz të paligjshëm, me masën e paraqitjes në stacion policor.
“Betimi për Drejtësi” ka raportur se të dyshuar në këtë rast janë: Lulzim Reshati, Pater Berisha, Brahim Qorri, Fazli Cikaqi, Bruno Kuzhnini, Përparim Shala, Naim Reshitaj, Sefer Bytyqi, Remzi Aliaj dhe Muhamet Shala.
Këtë vendim të gjykatës e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj.
“Referuar pyetjeve tuaj për informacion ju njoftojmë si në vijim: Gjykata Themelore – Dega në Suharekë – Departamenti i Përgjithshëm, Gjyqtari i procedurës paraprake, me datë 30.04.2025, ka marrë AKTVENDIM, ashtu që ZËVENDËSOHET masa e Arrestit Shtëpiak, me MASËN E PARAQITJES në STACIONIN POLICOR, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më 01.06.2025. Ashtu që dhjetë (10) të pandehurit detyrohen të paraqiten në Stacion Policor dy (2) herë në javë”, thuhet në përgjigjjen e zëdhënësit.
Bazuar në përgjigjjen e zëdhënësit Lekaj, gjyqtari i procedurës paraprake gjeti se nga provat kërkesa për zëvëndësim të masës është e bazuar.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas vlerësimit të Prokurori të Shtetit, për zëvendësimin e masës së arresti shtëpiak me masën e paraqitjes në Stacion Policor, dhe nga provat e shkresave të lëndës ka gjetur se kërkesa është e bazuar, dhe është vendosur si më lartë”, thuhet tutje në përgjigjje.
Tutje, në përgjigjje thuhet që fillimisht me datë 02.03.2025, Gjyqtari i Procedurës paraprake kishte marrë Aktvendim dhe ndaj dhjetë (10) të pandehurve i’u kishte caktuar masën e arrestet shtëpiak, por e njejta ishte zëvëndësuar me masën e arrestit shtëpiak.
Dhjetë të dyshuarit ishin ndaluar më 1 mars nën dyshimin për veprën penale “Organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
“Sipas kërkesës, medatë 28.02.2025, rreth orës 23:00 minuta, në Suharekë, në kafiterinë “R.G.Z”, i pandehuri L.R., (pronar i lokalit), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizon dhe merr pjesë në organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me Ligjin Nr.06/L-155 për ndalimin e lojërave të fatit, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme dhe të fshehtë, lokalin e përdorë për lojëra të fatit, ku me rastin e lokalizimit të vendit nga zyrtarët policor kur të njëjtit tentojnë të hyjnë në lokal, dera e lokalit ishte e mbyllur me çelës nga brenda, dhe ishte me pak ndriçim, e pas tentimit të zyrtarëve për ta hapur derën, aty i pandehuri L.R., e hap derën, ku gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë brenda në lokal në tavolinat ku kanë qenë ulur të pandehurit e lartëcekur janë hasur në total dyqind e tetë (208) letra, nëntëdhjetë e gjashtë (96) kartela me mbishkrimin AliExpress me barcode, të cilat dyshohet se janë kartela për lojërat e fatit online”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Bëhet e ditur se nga të pandehurit janë sekuestruar në total 15 mijë e 260 euro dhe 1 mijë e 200 franga zvicerane. Gjithashtu, thuhet se tek i pandehuri Reshati– pronari i lokalit të lartcekur janë gjetur letra në sasi prej 3 mijë e 326 copë, të cilat janë përdorur për lojë bixhozi natën kritike.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.