Sot shënohen 26 vjet nga masakra e Pastasellës në Rahovec, ku nga forcat serbe u vranë dhe u masakruan 106 persona nga ky fshat dhe fshatrat përreth.
Masakra ndodhi më 31 mars, kur serbët sulmuan Pastasellën.
Dy tanke u vendosën në kodra, katër tanke depërtuan brenda fshatit dhe një tjetër qëlloi mbi civilët.
Fshatarët kërkuan strehë në një fushë afër, dhe rreth orës 3 të drekës iu dorëzuan paraushtarakëve, duke tundur një pëlhurë të bardhë.
Burrat, shumica mbi 55 vjeç, u ndanë nga gratë dhe fëmijët.
Rreth orës 4:30, gratë u dëbuan nga fshati me urdhrin “Shkoni në Shqipëri”.
Burrat u torturuan dhe më pas u ekzekutuan masivisht. Ata u ndanë në katër grupe dhe u qëlluan me automatikë.
106 civilë humbën jetën, ndërsa vetëm 13 mbijetuan.
Një nga të mbijetuarit tregoi se ai u shtri nën trupat e të vrarëve për të shpëtuar jetën, duke qëndruar i fshehur për më shumë se 20 minuta derisa serbët u larguan.
Një ditë më pas, serbët nxorën 25 kufoma nga zgafellet dhe i dogjën në një shtëpi të fshatit.