Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka përkujtuar veprimtarin Bajram Kelmendin dhe djemtë e tij Kastriotin e Kushtrimin, në 26 vjetorin e vrasjes së tyre.
Abdixhiku tha se nga kjo vrasje u tentua edhe fundosja e së vërtetës për krimet serbe ndaj popullit të Kosovës.
“Sot kujtojmë avokatin e shquar kosovar e veprimtarin e shquar për lirinë njerëzore dhe kombëtare, Bajram Kelmendin dhe dy bijtë e tij Kastriotin e Kushtrimin, të cilët u vranë në natën e nisjes së bombardimeve të NATO-s, nga forcat serbe në Prishtinë. Nga kjo vrasje makabre në marsin e vitit 1999, u tentua edhe fundosja e së vërtetës për krimet serbe ndaj popullit të Kosovës”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se Bajram Kelmendi ishte veprimtar i lirisë në përpjekje të pashtershme për të denoncuar krimet e kohës nga regjimi i Millosheviqit dhe forcat serbe mbi popullsinë shqiptare në Kosovë.
“Bajram Kelmendi ishte veprimtar i lirisë në përpjekje të pashtershme për të denoncuar krimet e kohës nga regjimi i Millosheviqit dhe forcat serbe mbi popullsinë shqiptare në Kosovë. Ai me punën dhe angazhimin e tij profesional e kombëtar po mblidhte fakte e argumente; dosje të tëra për dëshmimin e pakundërshtueshëm me krime të Millosheviqit; por këtë angazhim nuk mund ta kapërdinte dot regjimi serb, prandaj në natën e 24 marsit e kidnapuan, e në mënyrë mizore më pas edhe e vranë luftëtarin e paepur të paqes e lirisë, Bajram Kelmendi”, theksoi numri një i LDK-së transmeton Klankosova.tv
“Në këtë datë tragjike bashkë me babanë e tyre u vranë dy bijtë Kastrioti (30 vjeç) e Kushtrimi (16 vjeç), të cilët ishin rritur nën frymën e prindërve me përpjekjet për liri e pavarësi. Familja Kelmendi do të kujtohet gjithmonë me nderim të veçantë për sakrificën e madhe në altarin e lirisë. Prandaj, LDK dhe Republika e Kosovës do t’i mbajë në kujtesë e nderim të përhershëm Bajramin, Kastriotin e Kushtrimin. I përjetshëm kujtimi për Bajram, Kastriot e Kushtrim Kelmendin!”.