Nga Dr.Ismail Lutolli specialist Pediatër
subspecialist Dijetolog-Nutricionist
Tonsiliti akut, është një nga sëmundjet më të shpeshta të fëmijërisë sidomos rreth moshës 5-6 vjeç. Ndër moshën 3 vjeçare dhe mbi 50 vjeçare, kjo sëmundje haset më rrallë. Në varësi të shkallës së ndryshimeve që pësojnë bajamet, identifikojmë disa lloje të anginës. Megjithatë, tek çdo formë e sëmundjes, si simptoma kryesore janë dhimbjet e rënda në fyt, veçanërisht kur gëlltitjet janë të përcjellura me temperaturë që shpeshherë shkojnë 39 deri 40 C.Tek fëmijët përcillet edhe me refuzimin e ushqimit, e ndonjëherë edhe të vjella. Shumë nëna përjetojnë tmerrin me fëmijët edhe me anëtarë tjerë të familjes që kalojnë anginën.
Cili është funksioni i bajameve në organizmin e njeriut?
Bajamet ndihmojnë në parandalimin e infeksioneve. Funksioni i bajameve është në krijimin e limfociteve (qeliza të bardha apo antitrupa). Ato shërbejnë si filtër për parandalimin e infeksioneve bakteriale dhe virale në organizëm.
Cilët janë shkaktarët e sëmundjes së bajameve?
Bajamet shkaktohen nga infeksionet bakteriale dhe virale. Shkaktari më i shpeshtë është ai bakterial dhe shkaktohet nga streptokoku hemolitik i grupit A. Shkaktarë të tjerë mund të jenë viralë dhe më të shpeshtë janë: adenoviruset, enteroviruset, virusi i gripit etj. Sezona e ndryshimeve të temperaturës është edhe më e favorshme për sëmundjen e bajameve. Një rol të rëndësishëm luan edhe stili i jetës.Kequshqyerja, një sistem imunitar i dobësuar në organizëm favorizon problemet me bajamet.
Çfarë ndodh kur sëmuren bajamet dhe cilat janë simptomat e kësaj sëmundje ?
Bajamet shoqërohen me rritje të volumit të tyre (tek fëmijët), e cila shoqërohet me acarim të tyre e deri në qelbëzim. Shenja të kësaj sëmundje janë : dhimbje fyti, e cila shoqërohet me temperaturë, humbje oreksi, vështirësi në gëlltitje, erë e keqe nga goja, e në disa raste edhe me dhimbje muskujsh, dhimbje veshi, zmadhim i gjëndrave limfatike të qafës dhe gjendje klinike e përgjithshme e përkeqësuar.
Kur fillojnë të bëhen shqetësuese bajamet ?
Bajamet bëhen shqetësuese, kur ato nuk mjekohen si duhet dhe kalojnë në fazën kronike ku ekzistojnë mundesitë reale për shfaqjen e komplikimeve. Organet që mund të dëmtohen më shumë nga problemet me bajamet, janë përkatësisht zemra, veshkat, si dhe kockat. Vetëm me anë të një mjekimi të mirë do të mund të evitojmë këto probleme.
A mund të parandalohet kjo sëmundje?
Parandalim total nuk mund të bëhet, por rol të rëndësishëm luan parandalimi i shkaktarëve, si :
– Të ngrisim nivelin e kujdesit higjieno-dijetetik,
Të bëhet shumë kujdes në ekspozimin ndaj temperaturave të ftohta dhe të nxehta, pasi fëmija është mjaft i ndjeshëm dhe mund të djersitet dhe si pasojë mund të vie deri tek sëmundja e bajameve.
– Faktori më i rëndësishëm parandalues tek fëmijët, por edhe tek të rriturit, ngelet rritja e nivelit te sistemit imunitar të organizmit përmes ushqimit të shëndetshëm dhe stilit të jetës në mënyrë të shëndetshme.
Cilat janë format e trajtimit të bajameve ?
Kur këshillohet heqja e bajameve ?
Pacientëve të cilëve iu këshillohet heqja e bajameve, janë pacientë të cilët kanë 4-5 episode të infeksioneve të bajameve në vit, ku përfshijnë infeksione të kyçeve, rrugëve urinare apo edhe të zemrës, probleme me gjumin.
Në të gjitha këto raste, nëse është bërë mjekimi cilësor dhe profesional dhe përsëri ka ardhur deri tek komplikimet, në këtë rast heqja e bajameve është e indikuar.
Sa ka ndikim heqja e bajameve në përmirësimin e shëndetit dhe në shtimin e oreksit ?
Heqja e bajameve nënkupton heqjen e barrierës së parë mbrojtëse në organizëm, pra do të kemi përsëri infeksione, por ato do të lokalizohen në rrugët e poshtme të frymëmarrjes. Pra, rreziku do jetë edhe më i madhe se sa para heqjes së bajameve.
Oreksi mund të shtohet në rastet e hipertrofisë tonsilare, pra kur bajamet janë të zmadhuara dhe bëhen shkak për mos oksigjenim të mirë të fëmijës dhe për pengesë gjatë ushqyerjes, e cila shkakton edhe ulje të oreksit. Lirimi i rrugëve të frymëmarrjes dhe atyre tretëse, qon në oksigjenimin më të mirë të organizmit dhe lehtësimin e marrjes së ushqimit dhe si rrjedhojë, në rritjen e cilësisë së jetës.Pra, në rastin e dytë mund te kemi përmirësim të gjendjes së përgjithshme dhe shtimit të oreksit nga vet evitimi i pengesës mekanike.
A mbetet operacioni forma më e mirë e zgjidhjes së problemit ?
Në rastet akute të infeksioneve të bajameve, ku infeksioni është me natyrë bakteriale mjekimi është medikamentoz (antibiotikoterapi, antipiretikë dhe rekomandohen pirja e lëngjeve në masë të shtuar dhe regjim shtrati ). Në format kronike ose edhe shfaqje të komplikimeve, ndërhyrja kirurgjikale mbetet rruga më e zgjedhur.
Para se të bëhet trajtimi me antibiotikë duhet bërë edhe disa hapa, apo më mirë të themi është mirë për ti bërë, në mënyrë që trajtimi të jetë i plotë dhe efikas :
1. Strisho të fytit dhe hundës, ne veçanti të merret përmbajtja e qelbëzuar ;
2. Heqje mekanike e vatrave të qelbit në bajame (të heqet sa është e mundur kapsula që mund ti mbulojë puset e qelbëzuara) ;
3. Gjetja e shkaktarit që ka sjellur në këtë gjendje. Pra, duhet gjetur shkaktari pasiqë nëse nuk evitohet shkaktari do të ketë përseri të njejtin problem pas një kohe të caktuar, 3 javë apo edhe 1 muaj ;
4. Ndërmarrja e masave dijetologjike për ngritjen e imunitetit, duke quar në mos përseritje të infeksionit në këtë pjesë të organizmit (pjesë shumë e rëndësishme) ;
5. Këshilla praktike për evitimin e shkaktarëve teknik apo të jashtëm ( ka disa gjendje shëndetësore të fëmijeve dhe te rriturve, që në vazhdimësi provokojnë infeksione të fytit, anginën, nëse nuk i eliminojmë këta shkaktarë atëherë kemi bërë mjekimin e perkohshëm por jo shërimin definitiv) ;
6.Diagnostifikimi dhe evitimi i problemeve të traktit digjestiv që ndikojnë direkt në problemet me bajamet.
Nëse mirren të gjithë këta hapa dhe përdorimi i antibiotikëve, shërimi në shumicën e rasteve është i plotë dhe ka gjasë të mos kemi përseritje të anginës.
Në punën time të përditshme, rrallë kam dhënë pëlqimin që fëmijët të shkojnë në operim të bajameve për shkak të përseritjes së anginës. Me një punë profesionale dhe bashkëpunim të ngushtë me prindërit, në shumicën e rasteve ka ardhur deri tek shërimi i plotë, pa qenë nevoja për intervenim kirurgjik.
Jam thellësisht i bindur se me mjekim cilësor, pothuajse shumë rrallë do kishte nevojë për operim te bajameve, për të mos thënë nuk do të kishte nevojë fare për operim. Ngritja e nivelit të sistemit imunitar në organizëm dhe trajtimi profesional, ngelet çelësi suksesit në tërë këtë proces.