Live

Vjeshta ul imunitetin, mjekja tregon ushqimet që duhet të hamë gjatë kësaj stine

22:48 / 07 Nëntor 2022

Nga admin

Ndërsa moti ka filluar të ftohet dhe imuniteti bie ndaj ajo që hamë është shumë e rëndësishme. Mjekja nutricioniste Albana Daka, në rubrikën “Abc-ja e shëndetit” në emisionin e mëngjesit, tregoi ushqimet që duhet të hamë gjatë vjeshtës për ta mësuar trupin me stinën e ftohtë dhe me uljen e orëve të ditës.

Sipas doktoreshës, është e nevojshme të konsumojmë të gjitha frutat dhe perimet e stinës. Gjithashtu duhet të kemi parasysh vajin e ullirit, ushqimet me proteina shtazore si veza, peshku, pula dhe më pak mishi i kuq. Nuk rekomandohen ushqimet e skuqura por të gatuara në furrë dhe me avull.

“Me uljen e dritës, ulet prodhimi i serotoninës. Prodhohet mbi 95 për qind në zorrë. Ka një ndikim të madh në prodhimin e serotoninës dhe duhet të jetë në funksionin maksimal me regjimin perfekt ushqimor që të kemi serotoninë e duhur dhe të kalojmë një vjeshtë të mirë.
Stinët ndikojnë si në ndryshimin të funksioneve të organeve dhe në sjelljen e organizmit kundrejt ambientit. Në verë themi se duhet të hamë ushqime më të thjeshta dhe të ftohta sepse trakti tretës bëhet më përtac. E kundërta ndodh me uljen e temperaturave, ulet serotonina sepse do të rritet melatonina.

Jeni pak në humor, kemi më shumë uri për të ëmbla sepse stimulohet prodhimi i insulinës dhe duke u prodhuar duhet të kemi sheqer më shumë për të vënë në funksion insulinën që derdhet në gjak. Rrisim vaktet më të ngrohta. Që organizmi të futet në vjeshtë në mënyrë graduale dhe pa e ndjerë efektin e uljes së orëve të dritës, themi se në ditët e para hamë pak.

Ne përfshijmë vaktet vegjetariane sepse perimet dhe frutat kanë më shumë serotoninë sesa ato shtazore. Duhet të kemi proteina shtazore të shëndetshme si djathi, por jo më shumë se një vakt në ditë. Të hamë mishin e pulës, vezën, peshkun por dhe bimoret si të gjitha bishtajoret.“, tha Dr. Albana.

Me uljen e orëve të ditës, mund të vihet re dhe një mungesë e vitaminës D. Prandaj, siç shtoi doktoresha, nëse është e nevojshme duhet të merret dhe në formë suplementi.

“Me vjeshtën rritet melankolia fiziologjike. Mungesa e vitaminës D e thellon më shumë depresionin. Duhet të marrim masa që të futemi në një vjeshtë të shëndetshme, nëse kemi nevojë për vitaminë D, duhet ta marrim në formë suplementesh.“, tha doktoresha duke rekomanduar gjithashtu edhe çajrat.

“Zorra ka nevojë për ushqimet e ngrohta që tretja të bëhet më mirë. Çajrat rrisin përthithjen e ushqimeve. Vitaminat dhe mineralet përthithen më mirë nëse vakti është i ngrohtë.”, theksoi Dr. Albana Daka./abcnews.al

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...