Live

Çeku: 2023-ta, vit i realizimit të projekteve në sport

12:08 / 02 Janar 2023

Nga Kosova Live

Mungesa e zhvillimit të infrastrukturës sportive, sidomos terreneve dhe stadiumeve ka qenë njëra nga pikat më të diskutuara gjatë vitit 2022.

Ngecjen në këtë aspekt e pranon edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili konsideron se kjo ka ndodhur për shkak të inflacionit dhe rritjes enorme të çmimeve.

Përtej kësaj, Çeku thotë se ministria që ai drejton ka qenë e fokusuar kryesisht në një analizë të kujdesshme dhe projektim profesional për ndërtimin e infrastrukturës.

“Ndonëse në infrastrukturë kemi pasur ngecje dhe telashe që kanë rrjedhur edhe nga inflacioni, pra nga hezitimi i operatorëve për t’i kryer punët për shkak të shtrenjtimit të çmimit të materialit. Në përgjithësi edhe në infrastrukturë gjatë vitit 2022 ka pasur konsolidim të infrastrukturës ekzistuese, ka pasur fokus në përfundimin e projekteve ekzistuese, disa të hapura për shumë vite, tashmë me shumë telashe, dhe fokusi brenda tyre kanë qenë stadiumet e futbollit dhe palestrat e mbyllura të sportit. Qasja jonë ndaj infrastrukturës është kjo, fillimisht fizibiliteti, pra analizë e kujdesshme, pastaj projekti profesional, pastaj ndërtimi dhe në fund edhe menaxhimi i hapësirave kulturore sepse kjo është një nga të metat e infrastrukturës në vendin tonë”, thotë Çeku.

Procesi i licencimit, i nisur vitin e kaluar u solli shumë telashe federatave sportive, të cilat u përballën me mungesë të madhe të mjeteve financiare.

Lidhur me këtë, Çeku thotë se për këtë është bërë një zgjidhje e përkohshme së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës, pasi ligjërisht nuk kanë të drejtë t’i financojnë federatat e palicencuara.

“Në momentin që ka skaduar afati i licencave, ne si ministri nuk kemi pasur të drejtë ligjore t’i financojmë federatat sepse pa licencim nuk mund të ketë edhe financim. E kemi krijuar një zgjidhje të përkohshme, kemi kërkuar prej federatave listën e të gjitha aktiviteteve të tyre ndërkombëtare dhe e kemi siguruar një financim përmes Komitetit Olimpik për këto federata në mënyrë që përfaqësimi ndërkombëtar të mos ndalet asnjëherë, pra e kemi rregulluar këtë çështje, ndërsa për organizimin e tyre të brendshëm iu kemi thënë në momentin që i merrni licencat do t’i merrni tre mujorët, edhe treshin, edhe katërshin”, thotë Çeku.

Një rregullore e re nga MKRS-ja po hartohet edhe për kategorizimin e sporteve. Që nga vitit 2024, këtë proces do ta kryejë Ministria e Sportit në bashkëpunim me KOK-un. Kjo sipas Çekut, po bëhet për të mos diskriminuar asnjë sport dhe sportist.

“Kategorizimi me udhëzimet e reja do të bëhet në dy shkallë, aplikimi bëhet në ministri, ne e bëjmë vlerësimin e parë dhe i nxjerrim pikët dhe kategorizimin sipas këtyre aplikacioneve që i sjellin dhe të njëjta pastaj i dorëzohen Komitetit Olimpik për shkallën e dytë të verifikimit, pra i kemi krijuar dy shkallë të verifikimit…dhe pa e konfirmuar komiteti vërtetësinë edhe saktësinë e vlerësimit dhe të kategorizimit e nuk do ta nënshkruajmë asnjë kategorizim. Pra vetëm po e shtojmë nivelin e verifikimit dhe të kontrollit në mënyrë që të mos e diskriminojmë asnjë sport, asnjë sportist”, shton Çeku.

Vitin 2023, Çeku e ka “pagëzuar”, si vit të zbatimit dhe realizimit të projekteve në fushën e sportit.

“Unë besoj që vitit 2023 është vit i zbatimit të reformës në sport. Ligji për sportin, ligji i ri do të na sjellë një frymë tjetër të organizimit institucional për sportin. Ne e kemi thënë sporti prioritet shtetëror, prandaj duhet ta ngrisim në nivel të qeverisë, në nivel të shtetit sportin si prioritet… Një nga skemat është mbështetja e elitarëve që kanë potencial për sukses ndërkombëtar. Ne duhet t’i paraprijmë prej tash, në këtë cikël olimpik të punojmë me disa nga sportistët që i kemi më të dalluar dhe që kanë potencial për rezultate kulmore ndërkombëtare. Do të vazhdojmë me skema e veçanta të tipit shërimi i lëndimeve, bursa për studime në fushat e sportit, skema e mobilitetit për pjesëmarrje në ngjarjet ndërkombëtare edhe nga sportistët edhe nga klubet edhe nga federatat.”, thotë ministri i Kulturës.

Zgjerimi i stadiumit “Fadil Vokrri”, ndërtimi i atij të Gjilanit dhe të Mitrovicës, janë vetëm disa nga projektet që ai thotë se do të realizohen gjatë këtij viti.

“Natyrisht do të kemi një fokus të veçantë për infrastrukturën. Disa nga më të rëndësishmet e vitit të ardhshëm ku do të ketë energji më të madhe të shpenzuar janë: Stadiumi i Gjilanit, stadiumi i Mitrovicës, zgjerimi i kapaciteteve të stadiumit të Prishtinës ‘Fadil Vokrri’. Janë renovimet e palestrave në Kosovë, Prizreni ka përfunduar, Prishtina është në procedurë, do të kemi edhe të paktën dy palestra të tjera ku do të intervenojmë për t’i konsoliduar kushtet, zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë është pjesë e investimeve tona në vitin 2023, shtegu i parë i atletikës, profesional në Kamenicë. Palestrat e Gjimnastikë, një në Skenderaj, një tjetër në Fushë Kosovë, shtëpia e shahit në Prishtinë, poligoni i shigjetarisë në Drenas”, shprehet ai.

Madje, punët për zgjerimin e “Fadil Vokrrit”, pritet të fillojnë së shpejti.

“Rritja e kapacitetit të ‘Fadil Vokrrit’ po besoj që është një nevojë sa evidente, aq edhe imediate, duhet të lëvizim shpejtë. Tani e kemi një projekt të parë i cili po vlerësohet dhe nëse është projekti adekuat do të kalojmë menjëherë në fazën e realizimit të punimeve dhe po shikohet modaliteti që punimet të zhvillohen, ndërsa puna dhe aktiviteti të mos ndalet asnjëherë i sportit. Të shohim edhe nëse rregullativat ndërkombëtare na e lejojnë diçka të tillë sepse mund të punohet pjesë-pjesë në ato tribuna ku do të ketë intervenime.”, thekson Çeku.

Fokus të veçantë i pari i MKRS-së thotë se do t’iu kushtohet edhe sportistëve elitarë. Në mesin e tyre është edhe boksierja, Donjeta Sadiku, e cila përkundër se vitin e kaluar i solli Kosovës medalje ndërkombëtare, vazhdon të mos ketë mbështetjen e duhur nga ana e shtetit. Kjo sipas Çekut, do të ndryshojë këtë vit.

“Ne jemi në komunikim të rregullt me Federatën e Boksit, me Donjetën, me trajneren e Donjetës dhe jemi të gatshëm që ta mbështesim si Donjetën si të tjerët në sporte të tjera që kanë potencial për t’i sjellë rezultate kulmorë ndërkombëtare vendit tonë”, thotë ai.

Sipas Çekut, zhvillimi i sportit nëpër shkolla do të jetë një tjetër fushë ku do të punohet fuqishëm gjatë vitit 2023./kp/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...