Teksa Apple hedh shikimin përtej Kinës për të siguruar zinxhirë të rëndësishëm furnizimi të cilat janë të shtrënguara nga bllokimet e COVID dhe të kërcënuar nga tensioni gjeopolitik në rritje, India është shfaqur si një alternativë tërheqëse potenciale për ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Dhe në fakt rivali i madh rajonal i Pekinit nuk po humbet asnjë moment për të folur për këtë mundësi. Një nga ministrat kryesorë të Indisë tha muajin e kaluar se kompania me bazë në Kaliforni dëshiron të rrisë prodhimin e saj në vendin e Azisë Jugore në një të katërtën e totalit të saj të përgjithshëm.
Ministri për Tregti dhe Industri, Piyush Goyal, bëri të ditur se Apple veçse i prodhon rreth 5 deri në 7 për qind të produkteve të saja në Indi. Ai tutje gjatë një eventi në muajin janar kishte thënë: “Nëse nuk gaboj, ata po synojnë që këtë shifër ta ngritin në 25 për qind të produkteve të prodhuara në vend”, raporton CNN, transmeton Telegrafi.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur Foxconn (HNHPF), një furnizues kryesor i Apple, po kërkon të zgjerojë operacionet e tij në Indi pasi pësoi ndërprerje të rënda të furnizimit në Kinë.
Për shumë vite, Apple është mbështetur në një rrjet të gjerë të prodhimit në Kinë për prodhimin në masë të iPhone-ëve, iPad-ëve dhe produkteve të tjera të popullarizuara.
Por varësia e tyre ndaj këtij vendi u testua vitin e kaluar nga strategjia strikte e Pekinit për zero-Covid, e cila u shpërbë me shpejtësi në dhjetorin e vitit të kaluar.