Live

Tahiri: Koalicionet parazgjedhore mund të nxjerrin sërish qeveri të dështuar

15:52 / 01 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Analisti politik, Ramush Tahiri, ka thënë se zgjedhjet e mundshme parazgjedhore mund të sjellin ndryshime të qeverisjes në vend.  Tahiri i ka thënë të enjten Radio Kosovës se koalicionet parazgjedhore po nxjerrin qeveri të marrëveshjes, me ministra që më shumë i nënshtrohen liderit dhe partisë.


Nëse partitë bëjnë koalicione parazgjedhore, nuk mund të ketë ndryshim të qeverisjes në vend, vlerëson politologu Ramush Tahiri, sipas të cilit, qeveri ndryshe do të ishte ajo e cila do të dilte nga zgjedhjet pa koalicione  parazgjedhore.

Sipas Ramush Tahirit praktikat e deritashme kanë treguar se koalicionet parazgjedhore nuk janë të shëndetshme, ngase nxjerrin qeveri të marrëveshjes, sikur që ishte qeveria aktuale, ku siç thotë Tahiri, ministrat nuk kanë dinjitet shtetëror, por nënshtrim partiak.

“Nëse bëhen koalicione parazgjedhore dhe joparimore, sikur në zgjedhjet e kaluara në moment të fundit, atëherë Kosova sundohet ose mbahet prej oligarkisë, ose siç po thonë, kapet shteti dhe nuk ka ndryshime. Po ashtu nuk pritet që do të ketë ndonjë përparim të madh sa i përket demokracisë dhe zhvillimit të vendit”, ka thënë Tahiri.

Tahiri thotë se Kosova tashmë ka hyrë në një krizë dhe po i tejkalon afatet ligjore dhe kushtetuese të daljes nga kjo krizë. Ai është kritik ndaj presidentit Thaçi që nuk po i thërret partitë politike në konsultim sipas radhës dhe sipas ligjit. Sipas Tahiri, presidenti e ka obligim ta thërrasë koalicionin PAN, si koalicion fitues i zgjedhjeve të vitit 2017, dhe ta konsumojë të drejtën kushtetuese për kandidatin tjetër. Nëse nuk kanë kandidat tjetër, duhet menjëherë t’i shpallë zgjedhjet. Sipas tij, kjo zgjatje e procesit, lidhet me interesa klanore.

“Fakti që ka interesa klanore ose klienteliste, flet që Kosova i ka hy reformës zgjedhore dhe nuk e ka bërë asnjë reformë dhe nuk ka arritur ta bëjë një votë një qytetar, por është një qytetar 5 vota, dhe me këtë, deputeti i përgjigjet liderit që e cakton më lart apo më poshtë në ranglistë, dhe i nënshtrohet partisë dhe jo qytetarit”, tha Tahiri.

Shpërndaje në

U Kopjua