Paris Saint-Germaini ka marrë fitore të vështirë, por shumë të vlefshme ndaj Nantesit.
PSG-ja në “Parc des Princes” triumfoi 4:2 ndaj Nantesit të shtunën.
Në fakt, PSG-ja e nisi mjaft mirë takimin, duke shënuar dy gola të shpejtë. Leo Messi në minutën e 12-të dhe autogoli i Jaouen Hadjamit në minutën e 17-të i dhanë epërsinë rehatuese vendasve.
Por mysafirët u rikthyen. Ngushtuan rezultatin me Ludovic Blas në të 31-n, ndërsa Ignatius Ganago barazoi në të 38-n.
PSG-ja kaloi prapë në epërsi në minutën e 60-të përmes Danilo Pereiras.
Në vazhdim, kampioni në fuqi i Ligue 1 hasi në shumë vështirësi për ta ruajtur rezultatin, por arriti të vuloste fitoren në fund me golin e Kylian Mbappes.
PSG-ja është e para me 63 pikë, 11 pikë larg Marseilles së vendit të dytë.