Nebojsha Stefanoviq, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e i Serbisë, citohet të ketë deklaruar se “nuk po mund të besojë” se Maqedonia e Veriut nuk do ta ekstradojë Tomor Morinën.
Duke e kërkuar me çdo kusht ekstradimin e Morinës, Ministri serb ka thënë se me këtë akt Maqedonia e Veriut po i shkel ligjet ndërkombëtare.
“Të gjitha vendet që janë pjesë e Interpolit duhet të respektojnë rregullat ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut, duhet që në bazë të urdhrit dhe dokumenteve të ofruara nga Serbia, ta ekstradojë Morinën”, ka thënë Stefanoviq.
Më 24 korrik, policia maqedonase e arrestoi ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga INTERPOL-i me kërkesë të Serbisë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se në këtë rast do të respektohet ligji.
Për ministrin e brendshëm serb, kjo deklaratë do të thotë se Morina do të ekstradohet.
“Kryeministri i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev ka thënë se ata do të respektojnë ligjin ndërkombëtar, dhe kjo do të thotë ekstradim te autoritetet serbe. Nëse kjo nuk ndodh, ne do të shohim se çfarë do të bëjmë më tej, unë nuk dua të paragjykoj”, ka thënë më tej Stefanoviq.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij nga ana e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.