Kuvendi i Kosovës ka dhënë një tender në vlerë 294 mijë euro për udhëtime me avion. Sipas parashikimeve, me këto para do të blihen 600 bileta.
Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur vetëm edhe dy muaj kohë deri në përfundim të këtij mandati, pasi që në muajin shkurt do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.
Mirëpo, kjo legjislaturë në krye me Glauk Konjufcën ka vendosur që në fund të mandatit t’i japë edhe afro 300 mijë euro për bileta të avionit.
Për blerjen e tyre është dhënë tenderi dhe është nënshkruar kontrata, shkruan Demokracia.com.
“Shërbime të udhëtimit me Aeroplan – Bileta. Data e nënshkrimit të kontratës: 06.11.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 3. Emri zyrtar: “AS TRAVEL CLUB” SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës, 294,006.00 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Me këto bileta është paraparë të udhëtohet në disa vende të Evropës, Amerikë dhe Azi.
“Destinacionet e udhëtimit bazuar në ndarje regjionale në vlera të përafërta do të jenë: 60% shtetet e Evropës së Mesme, ndërsa 40% do të jenë jashtë kësaj zone, përfshirë Evropën Perëndimore, Amerikën dhe Azinë (shtetet arabe)”.
Kuvendi ka treguar se ‘qëllimi i kontratës është që të përcaktohen kushtet që rregullojnë kryerjen e shërbimeve’.

“Qëllimi i Autoritetit Kontraktues është të lidh një kontratë publike kornizë me një operator ekonomik. Prandaj urdhërata do të vendoset sa herë që të shfaqet nevoja. Biletat e Aeroplanit do të jenë 600 copë. Kategoria e biletave do të jetë vetëm të kategorisë ekonomike”.
Në dosjen e tenderit është sqaruar se vlera e biletës prej 490.00 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit.
“Vërejtje: Vlera e biletës prej 490.00 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdorët vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës pasi që çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit”.
Biletat do të shiten në siguri të lartë, madje do të xhirohen edhe nga kamerat.
“Kontraktuesi është i obliguar të vendos kamera para kompjuterit që të xhirohet e gjithë procedura e rezervimit të biletës tek një kompjuter në zyrën e kontraktuesit dhe të gjitha ato xhirime duhet të ruhen nga kontraktuesi dhe secila video duhet të jetë e qartë dhe e pastër, ku mund të verifikohet çmimi, datat dhe të gjitha të dhënat gjatë rezervimit të biletës. Xhirimi duhet të përfshijë gjithë procesin e rezervimit të biletës pas pranimit të porosisë nga AK”.

Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar se Kuvendi i Kosovës ka dhënë një tender në vlerë rreth 40 mijë euro për blerjen e 120 biletave të aeroplanit. Saktësisht një biletë është përllogaritur të kushtojë rreth 330 euro, që në total i bie 39 mijë e 600 euro.