Live

‘Dora’ e butë e prokurorit, lirohet i dyshuari për vjedhje që e arrestoi Policia në Prizren

22:42 / 21 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet dhe grabitjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri. Por, jo rrallëherë institucionet kanë ‘dorën e butë’ duke i lënë të lirë të dyshuarit.

Kështu dyshohet se ndodhi së fundmi në Prizren, ku Policia arrestoi një person të dyshuar për vjedhje në një objekt ndërtimi në rrugën “Besim Shala”.

Siç merr vesh Kosovalive i dyshuari për këtë rast është Blertan Krrabaj nga Opoja në Prizren, i cili shpëtoi pa përfunduar në ndalim.

Burimet thonë se Policia arriti ta  sigurojë prezencën e të dyshuarit dhe i njëjti është intervistuar, me ç’rast ka pranuar pjesërisht veprën që dyshohet se ka kryer.

Por në këtë rast, Prokurori i Shtetit u tregua i butë, duke mos urdhëruar masën e ndalimit policor, por duke e liruar të dyshuarin.

Krrabaj dyshohet se vodhi pajisje pune nga objekti në ndërtim dhe se një mjet pune që ka arritur ta shiste, u sekuestrua nga një biznes.

Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe me vendimin e prokurorit i dyshuari është lënë i lirë, për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua