Live

Ministër Murati në natën e xhumasë lutet për lirimin e Hekuran Nikçit

20:57 / 28 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, i emëruar nga Qeveria Kurti, së bashku me Naim Shalakun, ushtrues i detyrës së Menaxherit të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, janë arrestuar më 27 shkurt nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, cenim të të drejtave të punës dhe përdorim të paautorizuar të pasurisë.

Por, Ministri i Financave, Hekuran Murati, sot ka publikuar një postim duke i dal në mbrojtje atij.

“Prokuroria nuk ndërmerr asnjë veprim për nënshkruesit e dëmit mbi 100 milionë euro të kontratës kolektive. Prokuroria nuk ndërmerr asnjë veprim për ministrin e LDK-së që e vazhdon paligjshëm licencën për terminalin e devollëve. Por Prokuroria arreston dhe kërkon paraburgim për Hekuran Nikçin, Kryeinspektorin e Punës, për çështje administrative – shkarkimin e një personi”, shkroi ai.

Përveç, që i doli në mbrojtje në natën e xhumasë, Murati edhe ka pasur lutje për vendimin e Gjykatës që do të merret nesër ndaj Nikçit.

“Nesër qenka seanca ku shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për paraburgim për 30 ditë, e uroj e shpresoj që së paku Gjykata të marrë parasysh situatën e të korrigjojë këtë arbitraritet të Prokurorisë. Nëse Pal Lekaj mund të gjykohet në liri për rastin e 53 milionëve, si mund të arsyetohet mbajtja në paraburgim e një profesionisti si Hekuran Nikçi për cështje krejtësisht administrative? “, shkroi ai në “Facebook”.

Prokuroria pretendon se Nikçi ka kryer disa veprime të paligjshme, përfshirë transferimin e punonjësve në kundërshtim me ligjin dhe anulimin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Shpërndaje në

U Kopjua