Vendosja e një lopate me beton në gurthemelin e një çerdheje në Gjilan ka më shumë rëndësi për kryeministrin Albin Kurti, se sa të zbardh rastin e zhdukjes së rezervave shtetërore.
Kurti siç duket “pesë pare s’i jep” për Prokurorinë Speciale, ku do duhej të shkonte për të dëshmuar paraditen e 4 marsit, raporton Kiks Kosova.
Për të katërtën herë, kreu i ekzekutivit nuk u paraqit në Prokurori.
Se kryeministri do duhej të dëshmonte këtë të martë, e kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria Speciale.
Për herë të parë, kryeministri Kurti u ftua nga Prokuroria më 16.12.2024, në ora 09:30. Atëherë nuk kishte shkuar me arsyetimin se ndodhej jashtë vendit.
Ftesa e dytë i ishte bërë shefit të ekzekutivit pas pesë dite, më 20.12.2024, por kësaj radhe kishte shprehur gatishmërinë t’i presë në zyrë prokurorët.
Edhe hera e tretë më 08.01.2025 për Prokurorinë ka rezultuar njëjtë si dy thirrjet paraprake, pasi kryeministri i vendit nuk i është përgjigjur pozitivisht edhe thirrjes së tretë për t’u paraqitur para prokurorëve të Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi e Valdet Gashi.
Pasi foli për ftesën e Prokurorisë, Kurti nuk la pa “sulmuar” mediat, pasi sipas tij Prokuroria bashkëpunon me ta për lajme e jo drejtësi.
Për këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke thënë se gjuha e kryeministrit është e papranueshme dhe rrezikon gazetarët.
Por, deri kur mund Kurti t’i ik drejtësisë, çka parasheh ligji?
Në Kodin e Procedurës Penale thuhet se nëse pas urdhrit gjyqësor, i ftuari nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon.
Nëse ka refuzim edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.
Kryeministri po ftohet për të dëshmuar për rastin e zhdukjes së rezervave shtetërore, pasi në vitin 2023 ishin arrestuar tre zyrtarë të MINT, të cilët dyshohen se keqpërdorën detyrën zyrtare dhe kanë gisht në zhdukjen e vajit e grurit të cilat u blenë nga Polonia e Turqia por nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.