Live

Hiqet nga agjenda kërkesa e Kosovës për t’u bërë mysafire speciale në Asamblenë e KiE-së, do të trajtohet në një mbledhje tjetër

13:11 / 05 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kërkesa e Kosovës për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është hequr nga rendi i ditës për mbledhjen e sotme, që po mbahet në Strasburg, kanë konfirmuar nga Këshilli i Evropës.

Kërkesa do të trajtohet në një mbledhje tjetër.

Heqjen e Kosovës nga agjenda e ka konfirmuar edhe anëtarja e delegacionit nga Kosova, Ariana Musliu-Shoshi. Ajo ka thënë se ky ishte një zhvillim i papritur që nuk ishte paraparë as në grupet politike dhe as si mundësi.

“Sot, në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, morëm pjesë si delegacion, ku në agjendë ishte edhe opinioni për ngritjen e statusit të Kosovës në këtë organizatë.
Në fillim të takimit, me kërkesë të kryetarit të Grupit të EPP, Pablo Hispán, u votua për shtyrjen e kësaj pike nga rendi i ditës, një zhvillim i papritur që nuk ishte paraparë as në grupet politike dhe as si mundësi.

Kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Kosova me një letër të dërguar në fund të nëntorit të vitit të kaluar kishte kërkuar statusin e mysafirit special në APKE.

Shteti i Kosovës, edhe pse ka aplikuar për pranim në Këshillin e Evropës dhe ka kaluar shumicën e procedurave të nevojshme, ende nuk është anëtare e plotë. Vitin e kaluar, APKE rekomandoi pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por ajo u pengua në këtë rrugë.

Sipas rregullores, Asambleja mund t’u japë statusin e mysafirit special parlamenteve kombëtare të shteteve evropiane jo-anëtare që kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Anëtarët e delegacioneve të ftuar me statusin e mysafiret special nuk kanë të drejtë vote, por ata kanë të drejtën e fjalës.

Shpërndaje në

U Kopjua