Jo rrallëherë fëmijët janë viktima të dhunës qoftë nga prindërit e tyre apo edhe anëtarë të tjerë të familjes. Në shumicën e këtyre rasteve, fëmijët janë edhe të moshës së mitur, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Gjakovë, ku Policia arrestoi një person, i cili dyshohet për dhunë në familje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se këtë herë viktimë është një vajzë 20-vjeçare, ndaj të cilës ka ushtruar dhunë babai i saj.
Siç mëson Kosovalive i dyshuari e ka rrahur të bijën, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka ka marrë trajtim mjekësor.
Si rezultat i raportimit të rastit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin, ndërsa vajza ka kërkuar urdhër mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të njëjtit dhe inicimin e rastit.