Sot do të rinumërohen votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga qendrat e votimeve në Vushtrri, pasi që Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka dhënë urdhër të bëhet ky proces, ngase dyshohet për manipulime të tyre.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi se do të bëhet rinumërimi i fletëvotimeve që i takojnë këtij subjekti politik në këtë komunë.
Këto dyshime i ka hedh kandidatja për deputete e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila ka denoncuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, se sipas saj kanë ndodhur raste të manipulimit në disa qendra votimi.
Por, kjo nuk ishte e vetmja që e denoncoi këtë dyshim, me të u bashkëngjiten edhe disa komisionerë, ku rastin në Prokurori e dërguan me një mesazh “Le të bashkohen komisionarët për ndihmë të Xhafer Tahirit”.
Krasniqi ka deklaruar se në shkollën “Ali Kelmendi” në Vushtrri dyshohet për manipulim të votave, pasi në këtë shkollë, LDK ka marrë 55 vota në total, dhe se Xhafer Tahiri kishte marrë 54 vota, ndërsa kandidati për kryeministër kishte marrë 52 vota.
Shkollë tjetër ku dyshohet se të kenë ndodhur manipulime është edhe ajo “Bahri Haxha”, për të cilën thuhet se ka pasur ndërhyrje në listën e nënshkrimeve të votuesve.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka obliguar PZAP-në për rinumërimin e votave të LDK-së në këtë komunë.