Live

Bekim Haxhiu nuk siguron ulëse në Kuvend: Do vazhdoj të jap kontributin tim në PDK

14:38 / 06 Mars 2025

Nga Kosova Live

Bekim Haxhiu ka njoftuar se nuk ka marrë vota të mjaftueshme që ta sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Por, Haxhiu përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se kjo mund të ndryshojë varësisht mandatarit të formimit të qeverisë.

“Pavarësisht kësaj, unë i falënderoj sinqerisht të gjithë ata që më mbështetën dhe më votuan në listën e PDK-së me numër 109 në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe në pesë palë zgjedhjet paraprake.

Një falënderim i veçantë shkon për ekipin tim zgjedhor, të cilët ishin të angazhuar, të përgjegjshëm dhe shumë pozitiv gjatë gjithë fushatës”, ka shkruar mes tjerash Haxhiu.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Ju falënderoj 18,561 herë nga thellësia e zemrës për mbështetjen!

Në këto zgjedhje, pothuajse kam dyfishuar numrin e votave. Ky është vlerësim i rëndësishëm për punën time gjatë pesë mandateve radhazi si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, 18,561 vota nuk ishin të mjaftueshme për të fituar mandatin e radhës në Kuvend. Por kjo mund të ndryshojë varësisht mandatarit për formimin e qeverisë.

Pavarësisht kësaj, unë i falënderoj sinqerisht të gjithë ata që më mbështetën dhe më votuan në listën e PDK-së me numër 109 në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe në pesë palë zgjedhjet paraprake.

Një falënderim i veçantë shkon për ekipin tim zgjedhor, të cilët ishin të angazhuar, të përgjegjshëm dhe shumë pozitiv gjatë gjithë fushatës.

Urimet e mia shkojnë për deputetët që do të përfaqësojnë PDK-në në Kuvend, me shpresën që do të jenë të përgjegjshëm ndaj votuesve. Tani ata janë adresa e parë për brengat dhe shqetësimet e qytetarëve.

Uroj që të kenë një përfaqësim dinjitoz dhe të jenë aktivë në mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

Fushata ishte e gjatë dhe e ngarkuar, por ishte një kënaqësi të takoj kaq shumë njerëz të mrekullueshëm kudo në Kosovë.

Gjatë gjithë jetës time kam qëndruar besnik ndaj vlerave humane dhe idealit të atdhedashurisë, të formuara nga familja ime brez pas brezi. Kurrë nuk jam lëkundur dhe as nuk do të lëkundem nga këto parime.

Rreth 18,561 vota janë një vlerësim i punës dhe angazhimit tim.

Faleminderit që më besuat për pesë mandate si përfaqësuesi i juaj në Kuvend, i vlerësuar edhe nga organizatat monitoruese te Kuvendit si deputeti më aktiv i PDK-së, dhe ajo që është me rëndësi raporti im me qytetarët, nuk kam as një thirrje të humbur nga qytetarët.

Megjithatë, nuk u vlerësova mjaftueshëm për mandatin e radhës. Unë do të vazhdoj të jem aktiv dhe do të jap kontributin tim në PDK dhe nuk do të ndalem së bashkëpunuari në rrafshin profesional me kolegët e mi për të realizuar synimet dhe obligimet që kemi karrshi qytetarëve dhe liderëve tanë që po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Ju falënderoj nga zemra 18,561 herë!

Shpërndaje në

U Kopjua