Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit do të zvarritet edhe disa ditë. Kjo pasi partia në pushtet ka dorëzuar në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tri ankesa.
Ndonëse KQZ-ja nuk ka treguar emrin e subjektit politik që i ka dorëzuar këto ankesa, Nacionale raporton se këto ankesa janë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në njoftimin për media, KQZ-ja ka treguar se do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare.
Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, sot serish është ankuar në votat që LDK-ja ka marrë në diasporë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se VV-ja kërkon hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara.
“Është evidente skema që është përdorur nga votimi përmes postës në mërgatë. 400% më shumë vota për LDK-në, me vota shabllone për kandidatë të caktuar, ndërkohë që ekstremisht larg nga ky trend janë PDK e parti të tjera opozitare. Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon hetim të plotë për të gjitha parregullsitë e raportuara në mënyrë që të sigurohet një proces zgjedhor i pastër, i drejtë dhe i ndershëm. Sikurse, shkeljet dhe parregullsitë e evidentuara tashmë i kemi raportuar në polici dhe prokurori. Mbetemi në pritje të reagimeve konkrete dhe zyrtare nga institucionet përgjegjëse”, ka shkruar ai.
Tendenca e VV-së për zvarritjen e procesit zgjedhor është vërejtur edhe në mbledhjen e fundit të KQZ-së, e cila është mbajtur të enjën.
Dy anëtaret e VV-së në KQZ, në këtë mbledhje, kanë kërkuar që të miratohet rekomandimi i sekretariatit të KQZ-së për hapjen e të gjitha kutive të votimit me fletëvotimet e dërguara nga votuesit jashtë Kosovës në kutitë postare të KQZ-së.
Një gjë e tillë është kundërshtuar nga anëtarët e partive opozitare dhe ky rekomandim nuk ka kaluar.