Ish-kryetari i Mitrovicës, i cili e ka fituar mandatin e deputetit më 9 shkurti ka falënderuar 20 mijë e 457 qytetarët për votën që ia kanë dhënë.
Në statusin e tij të gjatë, të cilin e ka shoqëruar me një fotografi mbi urën e Ujmanit, ai ka shkruar se qytetarët nuk ia kanë dhënë thjeshtë një mandat, por një mision.
“Faleminderit nga zemra për besimin dhe përkrahjen tuaj të jashtëzakonshme! Me 20,457 votat tuaja, (prej tyre, mbi 8500 nga Mitrovica e zemrës sime ❤️) më keni dhënë nderin dhe përgjegjësinë e madhe për të qenë zëri juaj në Kuvend. Besimi është amanet. Ai nuk blihet, as nuk shitet. Ai fitohet me veprim, me përkushtim, me sakrificë. Ju me besimin tuaj, me ardhjen tuaj në konakun tim, për të më dhënë mbështetje të çeliktë, (ku një gjë e tillë nuk mbahet mend në fushatat politike), më keni dhënë jo thjesht një mandat, por një mision. Më keni besuar jo një karrige, por një përgjegjësi të shenjtë. Historia kujton ata që guxojnë. Ata që, edhe kur rruga është e vështirë, nuk ndalen. Ata që, edhe kur ndodhen përballë stuhisë, qëndrojnë drejt. Unë nuk kam zgjedhur rrugën e lehtë, por rrugën e duhur. Dhe në këtë rrugë nuk jam vetëm. Jam me ju. Jam për ju”, ka shkruar ai.
Në pjesën e dytë të statusit, ai folur për ndarjen e mundshme të Kosovës.
Ai ka bërë me dije se nuk do të lejoi ndarjen e Kosovës, ndonëse nuk ka treguar se si do të mund ta bënte një gjë të tillë i vetëm.
Më pas ka përmendur edhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ka mbështetje te hekurt ndaj tij.
“Sot, më shumë se kurrë, ndjej peshën e këtij besimi. Do të jem aty ku duhet, do të flas kur duhet dhe do të mbroj interesin tuaj me vendosmëri. Nuk do ta lejoj me ASNJË KOMPROMIS ndarjen e Kosovës, dhe për këtë e kam edhe mbështetjen e hekurt të kryeministrit Kurti, të cilin e falënderoj që qëndron stoik në këtë aspekt. Kjo nuk është një fitore personale. Kjo është një thirrje për përgjegjësi, për guxim, për veprim. Unë nuk premtoj mrekulli, por premtoj diçka më të madhe: të mos e tradhëtoj kurrë besimin tuaj. Ta mbaj fjalën ashtu siç e mban shqiptari që e di se nderi vlen më shumë se jeta”, ka shkruar Bahtiri.