Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një konflikt familjar ka ndodhur së fundmi në një familje në Gjakovë, ku dy vëllezër u arrestuan për dhunë në familje.
Burimet e Gazetës Kosovalive brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit, njëri 22 e tjetri 23 vjeç kanë pasur fillimisht një konflikt verbal me nënën dhe motrën e tyre, e më pas i kanë keqtrajtuar.
Përballë kësaj situate, viktimat kanë kërkuar ndihmën e Policisë.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka arritur t’i arrestojë dy personat e dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, dy vëllezërit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.