Zgjedhjet në Kosovë mund të kenë përfunduar, por koha kur vendi do të ketë qeveri të re duket se është ende larg. Me partitë opozitare që e përjashtojnë bashkëpunimin me Vetëvendosjen dhe me këtë të fundit që këmbëngul se do ta formojë vetë qeverinë, situata mbetet e hapur për çdo skenar.
Me vota që nuk i mundësojnë qeverisjen e vetme, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit këmbëngul se do ta formojë ajo Qeverinë e re të Kosovës.
Se me kë, nuk është ende e qartë. Partitë aktualisht në opozitë mbeten kategorikisht kundër bashkëpunimit me partinë aktualisht në pushtet.
“Me Vetëvendosjen nuk shohim pika takimi”, përsëriti kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, për Televizionin Klan Kosova, më 10 mars.
“Nuk duam dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta [VV-në]. Ky ka qenë qëndrimi ynë paraelektoral dhe mbetet i njëjtë”, tha kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media, po më 10 mars.
LDK-ja, sipas tij, do ta konsideronte si opsion koalicionin me partitë tjera, vetëm nëse do t’i ofrohej pozita e kryeministrit dhe do të arrihej marrëveshje për postin e presidentit – mandati i të cilit skadon vitin e ardhshëm.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se Qeveria e re e Kosovës duhet të formohet nga partitë opozitare.
“Ne angazhohemi që opozita ta formojë qeverinë e re”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ahmet Isufi, anëtar i Kryesisë së AAK-së.
“Kosova duhet t’i kthehet trendit të zhvillimit të brendshëm dhe riparimit të marrëdhënieve me jashtë”, shton ai.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, partia e tij ka garuar në koalicion me partinë Nisma të Fatmir Limajt.
Limaj është i vetmi nga opozita, i cili ka thënë se nuk ka “vija të kuqe” sa u përket koalicioneve të mundshme, qoftë me Vetëvendosjen apo me partitë tjera opozitare.
Pavarësisht kësaj, Isufi këmbëngul se partia e tij nuk ka ndonjë “mospërputhje të madhe” me Nismën e Limajt.
“Kemi kontakte normale. Presim certifikimin e rezultateve, në mënyrë që pastaj të bashkëpunojmë për një qeveri që do t’i përmblidhte partitë opozitare”, thotë Isufi.
Se kur do të bëhet certifikimi i rezultateve nuk është e qartë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmendur më herët mesin e marsit.
Ndërkohë ka pasur edhe kërkesa për përsëritjen e votimit përmes postës, por ato janë refuzuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Ashtu siç qëndrojnë rezultatet tash për tash, asnjëra parti nuk ka vota të mjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë.
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 mandate në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 24, LDK-ja 20, AAK-Nisma 8, Lista Serbe 9, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë 1 dhe komunitetet joserbe 10.
E, për formimin e Qeverisë duhen së paku 61 deputetë.