Tentim vrasja që ndodhi pak para mesnatës së 13 shkurtit në Pejë tashmë po hetohet dhe disa persona dyshohet se janë përfshirë. Katër të dyshuar u identifikuan, ndërsa në incident dyshohet se kanë gisht edhe persona të tjera, akoma të paidentifikuar. Në përleshje u përdor edhe mjeti i mprehtë, ku për pasojë njëri nga të dyshuarit u lëndua rëndë.
Motivi i rrahjes që ndodhi në rrugën “Konferenca e Bujanit” akoma nuk dihet, por që rasti është iniciuar dhe tre persona janë dërguar në ndalim policor.
Kosovalive ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit që përfunduan në mbajtje janë Granit Nikqi, Rudian Limani, Denis Limani dhe një grua e cila është lënë e lirë.
Anëtarët e familjes Limani dyshohen se fillimisht e kanë sulmuar fizikisht Nikqin dhe një person tjetër, i cili është viktimë, e më pas ka eskaluar situata.
Siç merr vesh Kosovalive, Nikqi dyshohet se ka nxjerrë një mjet të mprehtë dhe të dyshuarin Rudian Limani e ka goditur në disa pjesë trupore, duke i shkaktuar plagë serioze.
Edhe i dyshuari Denis Limani ka pësuar lëndime trupore nga sulmi me thikë.
Tё dyshuarit që u lënduan janё dёrguar nё Spitalin Rajonal nё Pejё pёr tretman mjekёsor, e më pas janë intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti po hetohet në drejtim të veprave penale “Vrasje nё tentativё’, ‘Lёndim i rёndё trupor’ dhe ‘Pjesёmarrje nё rrahje’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.