Live

‘LDK të pastrohet nga njerëzit e korruptuar”, Abdixhiku kryqëzohet për dështimin në zgjedhje

20:16 / 14 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i degës së LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi përmes një letre ka hedhur akuza të rënda ndaj kryetarit të kësaj partie Lumir Abdixhiku për dështimin e partisë në zgjedhje. Kjo parti arriti të dalë e treta me 17,75% të votave.

Ferizit, ka shkruar se LDK ka probleme të brendshme të cilat sipas tij janë pengesë serioze për suksesin e partisë.

“Është urgjente që lidershipi të marrë masa konkrete për të rikthyer besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve në LDK. Nëse këto masa nuk merren me urgjencë, LDK rrezikon të humbasë edhe më tej përkrahjen e qytetarëve dhe të thellojë krizën e saj politike. Për këtë arsye, kërkoj nga ju që të reflektoni seriozisht dhe të ndërmerrni veprimet e duhura për të garantuar një të ardhme më të fortë dhe më të ndritur për partinë tonë.”, tha ai.

Periskopi ka arritur ta sigurojë letrën të cilën Abxishiku nuk e ka bërë asnjëherë publike.

Letra e plotë:

Letër drejtuar Kryetarit të LDK-së, z. Lumir Abdixhiku dhe kryesisë

I nderuar Kryetar,

Pas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ndjej detyrimin moral dhe politik t’ju drejtohem me këtë letër për të shprehur shqetësimin tim lidhur me situatën aktuale të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rezultati nuk ishte ai që pritej dhe, për shumë nga ne, paraqet një mundësi të humbur për ta rikthyer LDK-në si forcën kryesore politike në vend.

Këto zgjedhje përfaqësonin një rast të rëndësishëm për të përfituar nga pakënaqësia e qytetarëve me qeverisjen e dështuar të Kryeministrit Kurti, i cili gjatë katër viteve të fundit nuk arriti të sjellë sukses në asnjë sektor kyç, përfshirë arsimin, ekonominë, shëndetësinë dhe diplomacinë. Po ashtu, Partia Demokratike e Kosovës(PDK) gjendej në një situatë të vështirë për shkak të mungesës së liderëve të saj, të cilët ndodhen në Hagë.

Megjithatë, përkundër këtyre rrethanave të favorshme për një rikthim të LDK-së, rezultati dëshmoi se problemet e brendshme vazhdojnë të jenë një pengesë serioze për suksesin e partisë. Një nga faktorët kryesorë që ndikuan negativisht është mënyra se si janë ndërtuar dhe funksionojnë strukturat nëpër degë dhe nëndegë. Zgjedhjet e brendshme në shumë raste janë zhvilluar në mënyrë aklamative, duke mos reflektuar vullnetin e vërtetë të anëtarësisë dhe duke krijuar ndjenjën e mungesës së përfaqësimit real.

Një tjetër shqetësim madhor është interferimi në përzgjedhjen e kandidatëve nga diaspora, çka ka shkaktuar pakënaqësi te shumë aktivistë dhe përkrahës të partisë jashtë vendit. Për më tepër, është e domosdoshme që të ketë një proces të menjëhershëm të pastrimit të radhëve të LDK-së nga individë që dëmtojnë besueshmërinë e saj, përfshirë ata që janë të përfshirë në manipulime zgjedhore, pazare politike dhe keqpërdorime të tjera, që nga Shkumbin Gashi dhe grupi i tij.

Është urgjente që lidershipi të marrë masa konkrete për të rikthyer besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve në LDK. Në këtë drejtim, kërkoj nga ju si kryetar që të inicioni një reformë të thellë brenda partisë, duke përfshirë:

  1. Rishikimin dhe demokratizimin e strukturave të brendshme, duke siguruar që çdo anëtar të ketë mundësinë të përfaqësohet në mënyrë të drejtë dhe të ndershme, përfshirjen e tre brezave në struktura dhe krijimi i nji uniteti dhe bashkimi në vlera.
  2. Transparencë dhe meritokraci në përzgjedhjen e kandidatëve, duke shmangur ndikimet e grupeve të interesit dhe pazaret politike.
  3. Largimin e menjëhershëm të individëve të korruptuar, të cilët kanë dëmtuar imazhin dhe besueshmërinë e LDK-së, si dhe ndjekjen e tyre përmes institucioneve ligjore, nëse ka fakte për keqpërdorime.
  4. Përfshirjen e diasporës në vendimmarrje, duke garantuar që kontributi i saj të mos kufizohet vetëm në votime, por të jetë pjesë aktive e strategjive dhe politikave të partisë.

Nëse këto masa nuk merren me urgjencë, LDK rrezikon të humbasë edhe më tej përkrahjen e qytetarëve dhe të thellojë krizën e saj politike. Për këtë arsye, kërkoj nga ju që të reflektoni seriozisht dhe të ndërmerrni veprimet e duhura për të garantuar një të ardhme më të fortë dhe më të ndritur për partinë tonë.

Me respekt,

Osman Ferizi

11.03.2025.

Shpërndaje në

U Kopjua