Live

Zbulohen detaje të reja për incidentin në Klinë: Tetë persona u përfshinë në rrahje, dy prej tyre u therën me thikë

13:04 / 16 Mars 2025

Nga Kosova Live

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Ujmir të Klinës, ku disa persona janë përfshirë në një përleshje fizike, e cila eskaloi deri në therje me thikë. Rasti tashmë është konfirmuar nga Policia, ndërsa janë zbardhur edhe detajet të reja.

Me të marrë lajmin, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, të cilët kanë intervenuar menjëherë si dhe kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme.

Policia Rajonale në Pejë ka njoftuar se në këtë rrahje ishin të përfshirë tetë persona, ku dy prej tyre janë therur me thikë dhe janë dërguar për trajtim në QKUK.

“Drejtoria Rajonale e Policisë nё Pejë, Stacionin Policor në Klinë, me datën 15.03.2025, rreth orës: 19:45, është njoftuar se në fshatin Ujmir-Klinё, ka ndodhur njё rrahje. Policia menjëherë i është përgjigjur informatёs dhe kanё identifikuar vendin e ngjarjёs ku ka ndodhur rasti, aty ishin tё pёrfshirё tetё persona.

Tё dyshuarit janё dёrguar nga familjarët nё emergjencë pёr tretman mjekёsor, ndёrsa dy nga tё dyshuarit fillimisht janё dёrguar nё spitalin rajonal ne Pejё, e mё pas nё QKUK-Prishtinё, pasi qё ishin tё lënduar nga mjeti i mprehtë (thikё)”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit që është kryer nga hetuesit, me vendim tё prokurorit tё shtetit, gjashtё tё dyshuarit që janë të moshës së mitur, janё ndaluar pёr 24 orё.

Shpërndaje në

U Kopjua