Me shpalljen e rezultateve të procesit zgjedhor, erdhen dhe pakënaqësi si jashtë, ashtu edhe brenda partive.
Rebelim brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), u krijua me atë që po konsiderohet ‘vjedhje të votave brenda partisë’.
Madje kjo ka bërë që të ketë reagime të ashpra.
Deputeti i zgjedhur, Avdullah Hoti ka dalur publikisht me kritika për partinë e tij.
Madje ai kërkoi lidership të ri në LDK.
Karshi këtyre ankesave, një ish deputet i kësaj partie thotë se duhet të lihen anash, për sa kohë shteti ka tema më të rëndësishme.
Faton Bislimi në një përgjigje për Periskopin ka thënë se LDK pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, duhet të ketë unitet.
“Dallimet e brendëshme politike duhet të jenë sekondare karshi sfidave që ka përpara shteti ynë. Kjo nuk nënkupton se duhet menjanuar përgjegjësia politike dikujt. Por, thjeshtë, është parimore dhe politikisht e domosdoshme që përtej krejt interesave tjera, ta vendosim interesin e Kosovës. Edhe LDK ka një vend të pazëvendësueshëm në historinë moderne të Kosovës. Është GOP (Grand Old Party) e Kosovës; është rruga e suksesit drejt ndërkombëtarizimit të çështjes sonë që më pastaj ndihmoi në arritjen e lirisë dhe pavarësisë. Përkundër rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit që la LDK larg nga pritjet e proklamuara nga lidershipi i saj, LDK-së i duhet ajo që unë e kam thënë gjithënjë — Unitet në Dallime!”, u shpreh ai.
Ish deputeti Bislimi ka thënë se LDK-së i duhet reflektim dhe rikthim.
“Fundja, ju rikujtoj se unë për parime dhe i bindur që LDK po devijonte nga rruga e trasuar nga Presidenti Historik Dr. Rugova, isha i vetëm në betejën time për të ruajtur boshtin politik të saj, qysh nga pranvera 2022. Andaj, me shumë se reagimet post-factum, sot LDK-së i duhet kohezion i brendshëm, reflektim, dhe rikthim në boshtin e vet politik. Kjo është e mundëshme, dhe një LDK e vlerave autentike, për të cilën unë kam luftuar pa asnjë hezitim qoftë edhe i vetëm, i ndihmon vet Kosovës. Prandaj, le t’i kthehemi idealeve kombëtare e vlerave autentike të veprimit politik rugovist, ku para së gjithash, ka qenë dhe do jetë Kosova!”, u shpreh Bislimi për Periskopin.