Live

Ekskluzive: Kosovalive sjellë foton e të dyshuarit nga Prizreni që u kap me armë ilegale dhe mbi pesë mijë euro në veturë

20:57 / 21 Mars 2025

Nga Kosova Live

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armët, me të cilat sillen lirshëm.

Një rast i tillë është zbuluar sot në Prizren, teksa Policia po patrullonte dhe ndaloi për kontroll një veturë, ku u gjetën një armë ilegale me municion dhe para të gatshme në valuta të ndryshme, në total mbi 5 mijë euro.

Kosovalive ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u kap në flagrancë nga Policia është Atdhe Bytyqi, rreth 42-vjeçar.

Atdhe Bytyqi

Për rastin është njoftuar hetuesi i teknikës kriminalistike, i cili ka dalë në vendngjarje për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Ndërkaq, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48-orë dhe inicimin e hetimit për armëmbajtje pa leje.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua