Live

Fejzullahu i ZRRE-së: Kishim dy opsione – ose rritje të tarifave, ose reduktime të rrymës

21:56 / 21 Mars 2025

Nga Kosova Live

Në emisionin EURO n’T7 është diskutuar propozimi i Zyrës së Rregullatorit për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15%.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka arsyetuar propozimin e tyre duke thënë se kjo rritje është bazuar 100% në inflacionin që ka ndodhur jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën.

Fejzullahu thotë se në këtë kohë është shumë e vështirë të jesh në krye të Bordit të ZRRE-së, veçanërisht kur flitet për tarifa.

Sipas tij, kërkesat e kompanive për furnizim me energji elektrike ishin që çmimi të rritej për 35%, por pas konsultimeve u propozua që çmimi të rritet për 15%.

Ai shpjegon pse konsumatorët duhet të paguajnë 15% më shumë për energjinë e shpenzuar nga 1 prilli.

“Kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike kanë mbetur të pandryshuara, ashtu siç ka mbetur edhe çmimi për konsumatorët me të drejtë universale që nga viti 2010, edhe pse kemi pasur inflacion çdo vit, veçanërisht në dy vitet e fundit. Çmimi i energjisë së prodhuar në Kosovë është 30 euro, ndërsa ai i importuar 150 euro. Kjo diferencë na detyron ose të reflektojmë dhe të mbulojmë koston, ose të kemi reduktime të energjisë elektrike. Mes dyjave, kemi konsideruar se më mirë është të importojmë energji sesa të kemi reduktime”, ka pohuar Fejzullahu.

Deri më 28 mars, qytetarët dhe palët e interesit mund të dërgojnë komente tek ZRRE sa i përket propozimit për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Shpërndaje në

U Kopjua