Live

“Shteti të zgjohet urgjentisht”- Memli Krasniqi kërkon kontrollim të armëve pas katër vrasjeve

12:03 / 26 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka reaguar në lidhj me katër vrasjen në tri ditët e fundit në Kosovë.

Krasniqi ka thënë se kjo pasiguri për qytetarët dhe ankth nuk duhet të normalizohet. Ai i ka bërë thirrje autriteteve që të ndërmarrin masa urgjentisht.

“Nuk mund ta normalizojmë këtë gjendje – nuk guxojmë. Nuk mund të heshtim. Shteti duhet të zgjohet. Institucionet duhet të veprojnë me urgjencë. Kontroll më i rreptë i armëve, forcim i rendit dhe drejtësi e pakompromis – këto nuk janë thjesht politika, por çështje jete dhe vdekjeje.” – ka thënë ndër të tjera ai.

Reagimi i plotë:

Brenda vetëm tre ditësh, katër jetë u shuan nga armët e zjarrit në Kosovë. Një grua, një i ri dhe dy burra – secili me një histori, me ëndrra, me familje që tani janë zhytur në dhembje të pamatshme. Këto nuk janë thjesht statistika. Këto janë jetë të vjedhura, familje të shkatërruara dhe një shoqëri që vazhdon të dëshmojë tragjedi pa asnjë veprim shtetëror të vendosur.

Sa jetë të tjera duhet të humbasim që të pranojmë se kjo është një emergjencë kombëtare? Sa familje të tjera duhet të shkatërrohen që të kuptojmë se qasja e lehtë në armë dhe dështimi i shtetit për të vepruar me vendosmëri janë një kombinim vdekjeprurës?

Pasiguria ka kapluar vendin tonë. Një ndjenjë frike dhe pasigurie ka zënë rrënjë në shoqëri, duke e bërë jetën e qytetarëve të rënduar nga ankthi dhe droja për të nesërmen. Askush nuk duhet të jetojë me frikën se një armë e jashtëligjshme mund t’i marrë jetën në çdo moment, në rrugë, në shtëpi apo në vendin e punës.

Nuk mund ta normalizojmë këtë gjendje – nuk guxojmë. Nuk mund të heshtim. Shteti duhet të zgjohet. Institucionet duhet të veprojnë me urgjencë. Kontroll më i rreptë i armëve, forcim i rendit dhe drejtësi e pakompromis – këto nuk janë thjesht politika, por çështje jete dhe vdekjeje.

Partia Demokratike e Kosovës, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje. Kushdo që posedon apo përdor armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën.

Është koha të kthjellemi. Është koha të zgjedhim jetën. Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave!

Shpërndaje në

U Kopjua